Vjedhja e zyrave të qarkut Vlorë, arrestohet drejtori, specialisti dhe një person tjetër
Janë ndaluar 3 persona si të dyshuar se kanë lidhje me grabitjen e zyrat e pronave të këshillit të qarkut Vlorë 3 ditë më parë.
Policia ka finalizuar operacioni e koduar “Formulari”, ku janë arrestuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve ushtronin funksione publike.
Sipas Policisë Bardhyl Gjika me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me specialistin e kësaj drejtori shtetasin Kreshnik Mino, dhe shtetasin Spiro Duni, dyshohen se kanë falsifikuar formularët e AMTP dhe Formularin nr.6 për regjistrimin e një pasurie, në fshatin Dhërmi.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin e koduar “Formulari”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasve: Bardhyl Gjika, 60 vjeç, banues në Vlorë. Kreshnik Mino, 37 vjeç, banues në Vlorë. -S. D., 51 vjeç, banues në Himarë. Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi B. Gj, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me specialistin e kësaj drejtori shtetasin Kreshnik Mino, dhe shtetasin Spiro Duni, dyshohen se kanë falsifikuar formularët e AMTP dhe Formularin nr.6 për regjistrimin e një pasurie (truall), në fshatin Dhërmi.” – njofton policia.
Sipas informacioneve, vjedhja e dokumenteve në zyrat e qarkut Vlorë ka ndodhur për 3 minuta, ndërsa kamerat e sigurisë nuk filmuan asgjë.
Për këtë çështje ka nisur një hetim edhe ndaj punonjësve të këtyre zyrave të qarkut, pasi janë vjedhur dosje origjinale.

Dokumentet e vjedhura janë origjinale të tokave të Dhërmiut dhe kanë humbur dosje të cilat Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk i ka marrë në dorëzim për t’i regjistruar.
Nga ana tjetër, burime nga policia bën me dije se autori ka pasur ndihmë nga brenda, pasi autori e ka ditur vendosjen e saktë të dosjeve.
Pavarësisht se institucioni ka kamera të sigurisë, ngjarja nuk është regjistruar nga këto të fundit. Autori ka përdorur një kënd tjetër daljeje dhe u është shmangur atyre.

