Nata e parë e lirisë për të vaksinuarit në Greqi, parti deri në mëngjes në Selanikun "e kuq"
Muzika, kërcimi dhe ahengu ishin kryefjala e Selanikut mbrëmjen e djeshme.
Mbrëmja e 9 tetorit ka qenë për të gjithë grekët e vaksinuar nata e parë lirisë pa masa kufizuese, me baret dhe lokalet plotë me njerëz deri në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë nga 9 tetori të vaksinuarit në Greqi do të përjashtohen nga masat shtesë kufizuese në zonat e kuqe, sipas hartës epidemiologjike të vendit.
Megjithatë, Selaniku mbetet një ndër zonat e kuqe, sipas hartës epidemiologjike të Covid-19, për shkak të rasteve të shumta me koronavirus.
Sidoqoftë, kjo nuk i ndaloi qytetarët e Selanikut dhe jo vetëm të festojnë e të argëtohen sikur Covid-i nuk ekziston, duke pritur me orë ë tëra në radhë për të hyrë në lokalet e qytetit.
Pak ditë më patë ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris, ka deklaruar se nga 9 tetori të vaksinuarit do të mund të rikthehen në normalitet, duke vepruar e kryer çdo aktivitet si para pandemisë. Kjo do të thotë që mund të qarkullojnë pa maska, të argëtohen në qendrat e natës, të kenë akses kudo, nëse paraqiten me certifikatën e vaksinimit./Ora News/



