Kriza energjitike në rajon/ Vuçiç: Nuk do kemi ndërprerje, jemi mirë me furnizimin
Kosova paralajmëron rritje të çmimeve të energjisë për konsumatorët e vet nëse do të zgjatë kriza që po godet gjithë rajonin. Greqia ka prezantuar paketën mbështetëse ndërsa Serbia pret që ta kapërcejë situatën.
Vendet e rajonit po përgatitin masa për ta kaluar sa më butë krizën energjetike, me politika të ndryshme financiare.
Kosova varet nga termocentralet për prodhimin e energjisë, megjithatë Artane Rizvanolli, ministrja e Ekonomisë, i tha portalit "Telegrafi" se katërfishimi i vlerës së elektricitetit në Europë ka për t'u ndjerë me siguri në tregun vendës.
“Tregu në Kosovë është i rregulluar dhe çmimi i energjisë elektrike për konsumatorë është i rregulluar. Megjithatë, qytetarët duhet të janë të përgatitur për probleme eventuale të sezonit së dimrit kur kërkesa dhe çmimet rriten.”
Rritja e çmimeve në Kosovë do të prekë produktet e konsumit pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka kërkuar që deri në prill të mos shtrenjtohet energjia elektrike por të kompensohet nga të ardhurat e vetë furnizuesit shtetëror.
Në Serbi, ndërkohë, presidenti Aleksandër Vuçiç tha të shtunën se vendi i tij do e shmangë sa të mundet rritjen e pashmangshme të çmimeve në treg pasi do përdorë rezervë financiare.
Kreu i shtetit serb premtoi energji të pandërprerë për qytetarët pavarësisht vlerës së lëndëve të para në bursa.
"Arsyet për problemet me gazin dhe energjinë që po kanë shumë shtete lidhen me taksat e reja të karbonit, me mungesën e gazit të lëngshëm që kinezët e mbajtën të gjithin për vete dhe me fakti se shumë shtete për të stimuluar rritjen ekonomike, zbrazën rezervat e gazit dhe nuk hynë në marrëveshje afatgjata me rusët. Ne vepruam mirë që ndërtuam gazsjellësin me gjithë presionin e jashtëm dhe që nuk i mbyllëm centralet me qymyr si të tjerë që tani po u kthehen atyre."- tha Vuçiç.
Në Maqedoninë e Veriut shihet me më pak qartësi stabilizimi i krizës energjetike, ndërsa Greqia fqinje ndërhyri të premten me një paketë 500 milionë euro për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë, naftës dhe lëndëve djegëse, si gazi natyror, që vendi e përdor për të prodhuar 40 për qind të sasisë së energjisë së vet.
Mbështetja e qeverisë greke nis me kompensimin minimal me 100 euro për familje dhe 80 euro për kilovat-orë për shtresat e varfra me tarifat sociale.

