U filmuan fshehur duke urinuar në publik, videot e 80 grave shpërndahen në faqe pornografike
Një gjykatës spanjoll ka tronditur grupet e të drejtave të grave duke hedhur poshtë një rast që përfshinte gra të cilat filmoheshin fshehurazi duke urinuar në publik dhe videot më pas postoheshin në ueb -faqe pornografike.
Regjistrimet e rreth 80 grave dhe vajzave u bënë ndërsa urinonin në një rrugë anësore për shkak të mungesës së tualeteve publike.
Ata u kapën nga kamerat e fshehura në "A Maruxaina" gjatë një festivali në qytetin veriperëndimor të Cervo.
Në shumë raste pamjet treguan nga afër organet gjenitale dhe fytyrat e grave.
Videot u ngarkuan në faqet pornografike, disa kërkonin pagesa për t'i parë.
Me zbulimin e kësaj, shumë prej të prekurve ndërmorën veprime ligjore në vitin 2020, duke bërë thirrje që regjistrimet, autori i të cilëve mbetet i panjohur, të hetohen me arsyetimin se e drejta e tyre për intimitet ishte shkelur.
Gjyqtari lokal, Pablo Muñoz Vázquez, e anuloi çështjen, duke bërë që shoqata "Gratë për Barazi Burela (Bumei)" ta çonin çështjen në apel.
I njëjti gjyqtar tani ka konfirmuar vendimin e tij fillestar për të mos vazhduar, me arsyetimin se për shkak se videot janë regjistruar në një vend publik ato nuk mund të konsiderohen kriminale.
"Unë thjesht isha në panik," tha Jenniffer, e cila ishte një nga gratë e filmuara gjatë festivalit lokal në vitin 2019.
"Kur pashë videon po qaja, u turpërova vërtet, nuk e dija vërtet se çfarë të bëja."
Ashtu si shumë nga të prekurit, Jenniffer kërkoi terapi më pas. Por vendimi i fundit gjyqësor e ka shtuar dhimbjen, shkruan BBC.
"Më bën të ndihem kaq e frustruar," tha ajo. "Ata në thelb thonë se është në rregull nëse dikush ju regjistron në rrugë dhe pastaj e postojnë atë në një faqe pornografike dhe fitojnë para nga ajo."
Vendimi për të mos vazhduar me çështjen ka provokuar protesta dhe një fushatë në internet nën hashtagun #XustizaMaruxaina (Justice Maruxaina)./OraNews/
