Fumio Kishida pritet të bëhet kryeministër i ri i Japonisë
Fumio Kishida do të jetë kryeministri i ri liberal-demokrat i Japonisë, i ekonomisë së tretë më të madhe në botë. Ai pason ish-kryeqeveritarin Joshihide Suga, qeveria e të cilit është kritikuar për menaxhimin e pandemisë.
Demokratët liberalë që kanë pushtetin në Japoni kanë caktuar Fumio Kishidën për të vijuar mandatin e qeverisë. Diplomati 64-vjeçar fitoi të mërkurën votat e shumicës së lidershipit të partisë, duke marrë stafetën e lënë nga kryeministri në ikje, Joshihide Suga.
Misioni i tij politik do të jetë fitorja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
"Ndjeva se demokracia jonë ndodhet në rrezik të madh, prandaj vendosa të kandidoj përpara çdokujt tjetër."
Fumio Kishida ka shërbyer si ministër i Jashtëm në vitet 2012-2017.
Ai ka premtuar paketa financiare për pandeminë, do të adresojë pabarazitë në shoqëri dhe të zhbëjë politikat ekonomike të Shinzo Abes, që sipas kryeministrit të ri vetëm sa kanë pasuruar më të pasurit.
"Kur koronavirusit të vihet nën kontroll, duhet të rimëkëmbemi ekonomikisht. Në këtë kohë na duhen politika më dinamike, dhe që politika vetë të jetë më miqësore me njerëzit," thonë dy qytetarë japonezë.
"Sinqerisht, në moshën time njerëzit duan të udhëtojnë më shumë dhe të shohin ekonominë të ringrihet pasi pagat kanë ardhur duke u ulur. Duam të kemi stil jetese si para pandemisë."
Fumio Kishida vjen nga një familje politikanësh nga Hiroshima dhe është deklaruar se qëllim në jetë ka ndalimin e armëve atomike, të cilat në vitin 1945 gati e shkatërruan plotësisht qytetin e tij.
Sllovenia pezullon vaksinën Johnson & Johnson
29 Shtator, 14:48



