SHBA/ 2,1 milionë amerikanë rrezikojnë të humbasin rrogat

Mosmarrëveshjet politike po rrezikojnë pezullimin e financave të qeverisë amerikane dhe pagat e mbi 2 milionë nëpunësve të shtetit.

Dhoma legjislative dhe Senati kanë kohë deri në fund të ditës për të votuar ligjin e përkohshëm që do e shmangte mbylljen e administratës.

Senatit do i propozohet fillimisht që të ruajë nivelin aktual të shpenzimeve si edhe të miratojë miliarda dollarë fonde për fatkeqësitë natyrore dhe refugjatët afganë.

"Ne jemi gati për këtë. Le t'i votojmë me shpejtësi dhe t'ia dërgojmë Dhomës së Përfaqësuesve që ligji të mbërrijë në tryezën e presidentit përpara se të skadojë afati i mesnatës," apeloi Çak Shumer, kryesenatori demokrat.

Ligji i përkohshëm lejon pagesat për administratën deri më 3 dhjetor, por debati më i fortë mes demokratëve dhe republikanëve lidhet me paketës së re fiskale, e cila parashikon rritjen e tavanit të borxhit për të financuar investimet dhe programet sociale rreth 4 trilionë dollarë që kërkon presidenti Joe Biden.

Palët duhet ta arrijnë dakordësinë përpara 18 tetorit, ndryshe Sekretarja amerikane e Thesari, Xhenet Jellen, paralajmëron katastrofën për vendin.

"Është e domosdoshme që Kongresi të adresojë kufirin e borxhit, përndryshe pas 18 tetorit Thesari do të ketë shumë pak burime që do i mbarohen shpejt. Amerika mund të falimentonte për herë të parë në histori. Besimi te SHBA-ja do të cenohej dhe vendi do përballej me krizë financiare dhe recesion."

Rritja e tavanit të borxhit u refuzua nga republikanët ditën e hënë dhe opozita ka thënë se nuk do e votojë ndryshimin nëse ai i bashkëngjitet ligjit të përkohshëm për financat e qeverisë./Ora News/