Forcat speciale të Kosovës në Bërnjak pretendohet se goditën shtetas serbë, Beogradi kushtëzon dialogun

Serbia mund ta kushtëzojë dialogun e saj me Kosovën dhe reciprociteti po jep kontributin e vet për konfliktin e ngrirë mes dy fqinjëve. Në veri të Kosovës u regjistruan të enjten edhe incidente që përfshinë shtetas serbë dhe njësinë e forcave speciale kosovare.

Reciprociteti për targat e automjeteve po i tensionon raportet Kosovë-Serbi dhe ka nisur të provokojë incidente.

Tre shtetas të përkatësisë serbe nga komuna e Zubin-Potokut raportohet se u lënduan pas përballjes me forcat speciale të stacionuara nga Kosova për rendin dhe sigurinë në pikat kufitare të Bërnjakut dhe Jarinjës.

"Nuk isha as afër kordonit të tyre. Më bërtitën në shqip që nuk e kuptoj dhe më shtrinë në tokë, më gjuajtën në nofull duke më thyer edhe dhëmbin. Na shanë dhe na kërcënuan me jetë," tha një prej personave i transportuar në spital.

Forcat speciale të Kosovës në Bërnjak pretendohet se

"Albin Kurti është direkt përgjegjës për incidentin e sotëm tronditës. Tani është e qartë se nuk i intereson asnjë dialog, as zgjidhja e krizës së shkaktuar nga mosrespektimi i Marrëveshjes së Brukselit, por i intereson ta fitojë me forcën veriun e Kosovës," reagoi zyra e qeverisë së Serbisë për Kosovën.

Sulmi ndaj serbëve pretendohet se ishte i paprovokuar dhe pason paralajmërimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se prezenca e njësisë speciale në veri do e përshkallëzojë situatën.

Nga mediet serbe mësohet se tërheqja e tyre është një ndër katër vendimet që Beogradi pret nga Prishtina, në mënyrë që palët t'i japin mundësi normalizimit të raporteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Tre kushtet e tjera për vijimin e dialogut janë krijimi i asociacionit të komunave serbe, licensimi i dy kompanive serbe që të furnizojnë veriun e Kosovës me energji elektrike dhe anulimi i dënimit për ish-ministrin Ivan Todosijeviq, i cili mohoi masakrat serbe në Kosovë.

Zyrtarët europianë prej ditësh po nxitin dy shtetet të ulin tensionet dhe të shmangin provokimet e njëanshme.

Kosova këmbëngul se masa e reciprocitetit për targat e përkohshme për automjetet serbe do të mbetet në fuqi deri kur edhe Beogradi të heqë dorë nga i njëjti detyrim për kosovarët që hyjnë me makinat e tyre në Serbi.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njofton se për tri ditë ka lëshuar 6.375 targa të përkohshme në të gjitha Pikat kombëtare të Kalimit Kufitar.