Reciprocitet nga sot/ Makinat me targa serbe nuk lejohen të hyjnë në Kosovë, policia dislokohet në veri
Paraditen e 20 shtatorit qeveria Kurti i është përgjigjur me reciprocitet Serbisë sa i përket targave të automjeteve.
Lajmi është bërë me dije nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Svelça, i cili shpjegoi se për të gjitha automjetet serbe që futen në territorin e Kosovës duhet të aplikohet pajisja e tyre me targa të përkohshme.
Në urdhërin e lëshuar, thuhet se në momentin e hyrjes mjetet duhet të paguajnë 5 euro për targën e përkohshme, e cila ka një vlefshmëri prej 60 ditësh.
Ndërkohë në kufirin verior të Jarinjës është vënë re prezenca e forcave të shumta të njësisë speciale por edhe qytetarë serb të mbledhur në shenjë proteste për situatën e krijuar. Megjithatë deri në mesditë nuk ka pasur tensione.
Kosova e kishte paralajmëruar një gjë të tillë edhe gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Kujtojmë se ky vendim është marrë në kuadër të vendosjes së reciprocitetit me Serbinë, pasi një masë e tillë është aplikuar prej kohësh prej Beogradit.
Ditët e fundit, një tjetër 'mollë sherri' në rajon ka qenë edhe nisma Ballkani i Hapur ku kryeministri Kurti ka shprehur haptazi mosdakortësinë e tij për të qenë pjesë e saj.





