Prokuroria: Viktimat e Salih Mustafës ishin shqiptarë

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka hapur sot gjykimin ndaj Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i akuzuar për krime lufte.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith, gjatë fjalës hyrëse tha se përderisa rastet e tjera që do të dalin para kësaj gjykate, do të flitet për viktima të etnive të ndryshme, si shqiptarë kosovarë, serbë, romë, në rastin e Mustafës, sipas tij, të gjitha viktimat ishin bashkatdhetarët e tij, shqiptarë të Kosovës.

“Këta njerëz nuk ishin armiq të shtetit të Kosovës, ata nuk ishin spiunë. Ata ishin pjesëtarë të komunitetit, shqiptarë të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i të cilëve ishte se ishin parë nga të tjerët, për një arsye apo tjetër, ishin parë si pengesë e UÇK-së dhe udhëheqësve të saj dhe prandaj ishin etiketuar si kolaboracionistë”, tha Smith.

Sipas Prokurorisë së Specializuar "faji i vetëm" i disa viktimave ishte se ishin pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Smith gjithashtu ka lavdëruar Kosovën dhe popullin e saj për krijimin e Gjykatës Speciale dhe mbështetjen e këtij institucioni.

“Kjo gjykatë flet me krenari për përkushtimin e njerëzve në Kosovë për sundimin e ligjit. Njerëzit e Kosovës kanë qenë forca lëvizëse e zyrës tonë dhe këtij institucioni”, tha ai.

Prokurori i Specializuar, Smith tha se krimet e luftës nuk justifikohen.

“Kundërshtarët e kësaj gjykate përdorin shprehje si ‘lufta e pastër’. Si prokuror është përtej detyrës time të ju tregoj cila është luftë e pastër, por mund të them që krimet e luftës në një anë nuk i justifikon krimet në anën tjetër”, tha Smith.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) argumentoi se viktimat që ishin mbajtur në një qendër ndalimi në Zllash, ishin cilësuar si bashkëpunëtorë në luftë.

ZPS-ja ka dhënë detaje mbi vendin ku supozohet të kenë ndodhur krimet e kryera nga Salih Mustafa.

Sipas këtij përshkrimi, ndërtesa në Zllash ishte dykatëshe dhe e izoluar nga strukturat e tjera.

Kjo ndërtesë nuk qëndron sot, mirëpo sipas ZPS-së provat e shfaqura gjatë gjykimit do të dëshmojnë prezencën e të akuzuarit në këtë vend në kohën kur krimet pretendohet se u kryen.

Sipas Prokurorisë, dy nga viktimat e mbajtur në Zllash ishin trajtuar veçanërisht keq. Njëri nga ta nuk është gjetur asnjëherë, ndërsa trupi i njërit nga viktimave u gjet në një varr të cekët në distancë të shkurtë nga qendra në Zllash.

Ndërkaq, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte.

Për akuzat ndaj tij, Mustafa edhe më herët është deklaruar i pafajshëm. Por, edhe gjatë fillimit të seancën, gjykatësja e pyeti nëse ende qëndron ky deklarim i tij dhe Mustafa tha:

Po, për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Ky është gjykimi i parë që nis në Dhomat e Specializuara në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale./REL/