"Gjykata Speciale si gestapoja", nis në Hagë gjykimi ndaj Salih Mustafës i akuzuar për krime lufte me UÇK-në

Një prej ish-komandantëve të UÇK-së e krahasoi Gjykatën Speciale për krimet e luftës me policinë sekrete të Gjermanisë naziste.

Të mërkurën nisi gjykimi ndaj Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

49-vjeçari u deklarua i pafajshëm për akuzat për të cilat u arrestua shtatorin e kaluar.

"Unë nuk jam fajtor për akuzat e ngritura ndaj meje këtu para zyrës së Gestapos," tha Salih Mustafa.

Mustafa është i pari që gjykohet mes një numri krerësh të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë në paraburgim.

Ndaj tij rëndojnë veprat penale të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes brutale të shqiptarëve, serbëve, romëve e shtetasve nga kombësi të tjera, të kryera në një kompleks në fshatin Zllashë të Prishtinës në vitin 1999.

Mes viktimave dyshohet se ishin edhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, grupim politik që perceptohej si kundërshtar i UÇK-së.

“Do të thirren këtu disa viktima e të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore, ndërsa në çështje të tjera gjyqësore përpara gjykatës do të thërrasim viktima të kombësive të ndryshme si shqiptare, serbe, rome e të kombësive të tjera, në këtë çështje në veçanti do të shihni se viktimat e të akuzuarit të zotit Mustafa ishin të gjithë shqiptarë të Kosovës si edhe ai vet, pra viktimat e zotit Mustafa ishin të gjithë bashkë shqiptarë të Kosovës. Këta njerëz nuk ishin armiq të shtetit të Kosovës, nuk ishin spiunë, ata ishin të së njëjtës bashkësi, shqiptarë të pafajshëm të Kosovës krimi i vetëm i të cilëve ishte sek konsideroheshin për një arsye apo tjetër si pengesë ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe disa prej udhëheqësve të saj," tha Smith.

Në Hagë pritet të thirren 16 ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe viktima të luftës që të dëshmojnë mbi akuzat ndaj Mustafës.

Prokurori Xhek Smith tha se Dhomat e Specializuara ndodhen qëllimisht jashtë Kosovës.

 “Arsyeja pjesërisht pse është krijuar kjo gjykatë dhe pse është vendosur në Hagë është atmosfera e frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në proceset penale të zhvilluara kundër ish-anëtarëve të UÇK-së. Kjo atmosferë ekziston edhe sot dhe do të përbëjë sfondin shoqërues të këtij gjyqi. Ndërkohë që para kësaj gjykatë do të dalin të dëshmojnë dhe të tregojnë historinë e tyre dëshmitarë që jetojnë çdo ditë në këtë atmosferë," u shpreh Smith.

Përveç Mustafës, proceset gjyqësore pritet të nisin edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.

Ata akuzohen për krime lufte dhe kundër njerëzimit, akuza të cilat i kanë mohuar.