Protesta në Fier/ Vëllai i Liljanës që u vra 5 vite më parë nga bashkëshorti: Dënim me vdekje për kriminelët

Ka nisur në Fier një protestë për vrasjen e 23-vjeçares Sabrina Bengaj, e cila u vra me  bukë në gojë para disa ditësh nga ish-bashkëshorti i saj Elton Metaj.

Pjesë e protestës ka qenë edhe Robert Zhezha, vëllai i Liljana Zhezhës, e cila u vra 5 vite më parë nga bashkëshorti  i saj, i cili e hodhi nga dritarja.

Ngjarja ndodhi në lagjen 11 Janari në Fier, ndërkohë vëllai i saj, i cili kujdeset edhe për dy fëmijët e viktimës, në një deklaratë për mediar tha se për autorët duhet të vendoset dënimi me vdekje.

Sipas tij, kjo është mënyra e vetme për të pakësuar kriminelët.

“Është vrarë nga ish-bashkëshorti, nga krimineli dhe fëmijët e time motër I kam unë. Janë edhe ata viktima. Mendoj se një nga arsyet që mund të eliminohet këto është rivendosja e dënimit me vdekje.  90% e këtyre mostrave, pasi bëjnë krimin mendojnë vetëm për vete. E kemi të vështirë t’I rrisim dy fëmijët, madje kemi dhe kërcënime nga krimineli që më ka vrarë motrën. Shoqëria shqiptare është indiferente ndaj këtyre gjërave, institucionet e shtetit janë pothuajse inekzistente. 

Kam bërë denoncime e janë mbyllur të dyja nga prokuroria e shtetit. Jemi lodhur nëpër sallat e gjyqeve. Rivendosja  e dënimit me vdekje mund t’i pakësojë kriminelët.”- tha ai, raporton Ora News. 

Vrasja e 23-vjeçares ndodhi në banesën e babait të 23-vjeçarës, teksa ajo po hante bukë.

Kujtojmë se e reja, mama e një vajze 3-vjeçare kishte një urdhër-mbrojtje, pasi 31-vjeçari kishte ndërmarrë edhe akte të tjera dhuna ndaj saj./ ORA NEWS/