“Dënim maksimal vrasësve”, protestë në Tiranë dhe Fier për Sabrinën dhe 15 gra të vrara gjatë 2021
16 gra shqiptare mungojnë në vatrat e familjeve të tyre pasi dora e burrave u mori jetën gjatë 9 muajve të parë të këtij viti.
Për Sabrina Bengën dhe fatkeqet si ajo, të mërkurën në Tiranë u organizua një protestë, nga ku u bë thirrje për drejtësi.
“Përgjegjësi për vrasjen e Sabrinës”, “Vrasja e grave dhe vajzave është pandemi. Ku është vaksina”, “Ngremë zërin dhe kërkojmë përgjegjësi për çdo viktimë” ishin disa nga pankartat në protestë.
Shoqëria civile, angazhimi i të cilës është i pamjaftueshëm për të parandaluar krimet në familje, kërkon ndërhyrjen urgjente të shtetit.
"Është një situatë që duhet të ngrejë të gjithë shtetin në këmbë, të gjithë strukturat për të mbrojtur gratë dhe vajzat që po vriten ditë pas dite."
Tubimi ishte një homazh edhe për gratë e tjera të cilat sot nuk janë më në jetë.
Nga Ministria e Brendshme, protestuesit u zhvendosën para asaj të Drejtësisë, të cilën e bëjnë përgjegjëse për jetët e humbura.
"Fajtorët kanë emër."
Familjarët e Sabrinës 23-vjeçare që u vra nga ish-bashkëshorti presin nga ky institucion dënim maksinal për autorët e krimit.
"Kjo është një vrasje në radhë të parë nga drejtësia, nëse ai do të kishte marrë dënimin e merituar Sabrina sot do të ishte në jetë."
Në Tiranë, në mbrëmje, fjalët ja lanë vendin qirinjve, në kujtim të Sabrinës dhe 15 grave që ndriçojnë të tjera botë.
Një protestë e heshtur u zhvillua pasditen e të mërkurës edhe në Fier, ku pjesmarrësit kërkuan dënim ekstrem për vrasësit e grave.
"Njëra nga arsyet që mund të pakësohen këto është rivendosja e dënimit me vdekje."













