Merkel "mbylli" Open Balkan në Beograd, Shasha: Vetëm procesi i Berlinit ka përkrahjen e Gjermanisë
Beogradi ishte ndalesa e parë e kancelares Merkel në vizitën e saj të lamtumirës në Ballkan.
Demush Shasha, Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK) analizoi në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini mesazhet që ajo përcolli në konferencën e përbashkët me presidentin serb qoftë në aspektin e bashkëpunimit rajonal ashtu dhe sa i takon normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Shasha: Vizita qëllimin kryesor ka të sigurojë vendet e Ballkanit Perëndimor se pasaardhësi i Merkel do të jetë vazhdimësi i të gjitha gjërave, qëndrimeve që 6 liderët kanë parë nga Merkel në këto më shumë se 15 vite të kancelarisë së saj. Së dyti, para pak minutave Merkel dhe Vuçiç kanë mbajtur konferencë për median ku Merkel e tha mjaft qartë se vetmja rrugë e bashkëpunimit rajonal në kuadër të procesit të integrimit europian është Procesi i Berlinit. Vuçiç, përkundër faktit që ka qenë shtytësi dhe mbështetësi më i madh i minishengenit rajonal dhe Open Balkan, gati nuk e përmendi fare. Njëherë e përmendi mjaft butë dhe tha do e njoftoj kancelaren për idetë e mia për Open Balkan. U pa qartë se nuk ka hapësirë të madhe mirëkuptimi nga Merkel sa i përket iniciaticës Open Balkan dhe ishte mjaft e qartë se vetëm procesi i Berlinit ka përkrahjen e Gjermanisë.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pamë në takimin e Merkel dhe Vuçiç se ka qenë një nga temat kyçe por pasi që është takim lamtumire Merkel nuk përdori një gjuhë më të ashpër sa i takon kësaj çështje por tha se as 5 vende anëtare të BE nuk e njohin pavarësinë e Kosovës prandaj ne presim që kjo çështje të trajtohet në kuadër të procesit të dialogut dhe është diçka që mirëkuptojmë do të ndodhë përgjatë rrugëtimit të anëtarësimit të Serbisë dhe Kosovës në BE. Merkel e la këtë punë për pasardhësin e saj por nënvizoi se mbetet një nga kërkesat kryesore të procesit integrues qoftë të Kosovës, qoftë të Serbisë.
Shasha komentoi edhe vendimin e presidentes Osmani për të mos shtyrë zgjedhjet lokale pas mosdakordësisë mes partive politike.
Shasha: Kemi dy mendime sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve. Vetëvendosje konsideron se është e udhës që zgjedhjet të shtyhen për shkak të kushteve të pandemisë dhe të gjithë partitë e tjera janë unanime që zgjedhjet të mos shtyhen. Por VV e ka bërë të qartë se shtyrja mund të bëhet me konsensus me partitë.Nuk ka ndonjë çështje tensioni mes partive. Nëse vazhdon ky trend i rrethanave pandemike, kemi rënie ditët e fundit, me gjasë zgjedhjet nuk do të shtyhen.
