Tragjedia me 14 viktima në Tetovë, Prokuroria zgjeron hetimet, ja çfarë kërkon nga institucionet

Prokuroritë e Tetovës dhe Shkupit, kanë kërkuar të gjithë dokumentet në lidhje me spitalin e Covid-19 në Tetovë, ku si pasojë e shpërthimit të zjarrit humbën jetën 14 persona dhe u plagosën disa të tjerë.

Alsat bën me dije se prokuroritë kanë kërkuar dokumentet e ndërtimit dhe materialet e përdorura për elaborate- për ruajtjen e kimikateve, karburanteve, gjeneratorëve gjatë ndërprerjes së energjisë, planin e instalimit elektrik, furnizimin me oksigjen, tubat dhe pajisjet.

Mësohet se këto dokumente duhet të dorëzohen nga  Ministria e Shëndetësisë, Spitali Klinik i Tetovës, dhe EVN për furnizimin me energji elektrike dhe planin e instalimit. Prokurorët nga Tetova dhe Shkupi kërkojnë ndihmë nga kolegët e tyre nga Velesi, raporton Ora News

Prokuroria e Velesit është përgjegjëse për kompaninë Brako, e cila instaloi spitalin modular, që ta marrë gjithë dokumentacionin për të. Hetohet edhe ajo se çfarë materiali është përdorur në ndërtim.

“Është dhënë Urdhër për ekspertizën e ndërtimit deri te Instituti i Inxhinierisë së Ndërtimit “Maqedonia”, në mënyrë që të mblidhen mostrat e materialit ndërtimor të djegur nga vendi i ngjarjes – dyshemeja, tavani, muret, dritaret, dyert, izolimi, etj. nga spitali modular ...

Prokuroria themelore publike në Tetovë në bashkëpunim me Prokurorinë themelore të Shkupit, ndërmerr veprime dhe aktivitete me qëllim të konfirmimit nëse dhe çfarë masa kundër zjarrit janë aplikuar në spitalin modular në Tetovë nga dita e lëshimit në përdorim e deri në momentin e ndodhjes së zjarrit. Gjithashtu është lëshuar urdhër me shkrim për siguruar të gjitha protokollet për mënyrën e punës, si në spitalin modular ashtu edhe në spitalin klinik të Tetovës”.- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurorët do të bëjnë edhe një raport të posaçëm për atë se cilat forca të policisë kanë mbërritur të parët në spitalin modular./ Ora News/