Vuçiç: Jemi të vetëdijshëm se Kosova është kusht për integrimin evropian të Serbisë
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në një konferencë të përbashkët për shtyp me kancelaren gjermane Angela Merkel, u shpreh se zgjidhja e çështjes së Kosovës është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Ai tha se një konflikt i ngrirë me Kosovën nuk është zgjidhje e mirë, teksa shton se janë të hapur për dialog dhe për zgjidhjen e një kompromisi që nuk do të jetë në dëm të Serbisë.
“Unë nuk do t'i mohoj njohuritë tona për kushtet e anëtarësimit në BE. Siç dëgjoni nga Prishtina se ata kanë Kushtetutën e tyre, ashtu e kemi edhe ne Kushtetutën tonë, të cilës i përmbahemi. Ne jemi gati për kompromis, për një zgjidhje kompromisi. Nëse pyetemi se a jemi të vetëdijshëm se nuk do të jemi vend anëtar i BE-së përpara zgjidhjes së çështjes, jemi të vetëdijshëm, por duhet të jetë një kompromis, jo shkatërrues për Serbinë”, tha Vuçiç.
Të martën, Merkel do të qëndrojë në Tiranë, ku pritet të takojë kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës.
