Nuk shtyhen zgjedhjet lokale në Kosovë,Osmani pas takimit me liderët e partive: S’ka bazë të mjaftueshme

Zgjedhjet lokale në Kosovë  nuk do të shtyhen. Me 17 tetor qytetarët do ti drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e  tyre të komunave. 

Debateve politike u dha fund mbrëmjen e së hënës presidentja Vjosa Osmani e cila e mori vendimin pas konsultimit me  liderët e partive politike.

“Si presidente e vendit e kam për detyre vetëm pasi t’i kem konsultuar këto subjekte duke u bazuar në rekomandimet e tyre, por edhe të institucioneve shëndetësorë të marr vendim. E respektoj të drejtën e partive, por kjo nuk do të thotë se pajtohem me një qëndrim”, ka thënë Osmani.

“Meqenëse s’ka pasur pajtim mes partive në pushtet dhe atyre në opozitë nuk ka bazë të mjaftueshme për shtyrje të zgjedhjeve”, ka theksuar Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, është për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, të caktuara tash për tash për datën 17 tetor.

Kurti dhe kryetarët e tjerë të partive politike u pritën të hënën në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me qëllim diskutimin e datës së zgjedhjeve.

Takimi u zhvillua pas një letre që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) i dërgoi Osmanit, me rekonandimin për shtyrjen e zgjedhjeve, për shkak të situatës së rënduar pandemike.

Kosova, javëve të fundit, është përballur me valë të rëndë të infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi.

Të hënën, përqindja e të infektuarve ka qenë në rënie të lehtë.

Përfaqësuesit e partive opozitare u shprehën kundër shtyrjes së zgjedhjeve pas takimit me Osmanin.