Arkivisti i gjenocidit Serb, 34-vjeçari nga Drenasi ka mijëra videokaseta të krimeve të luftës
Shqiptari nga Kosova, Esat Shala, ishte veç një fëmijë kur në vitin 1999 lufta atje arriti kulmin.
Ngjarjet i lanë mbresa të thella 34-vjeçarit që u detyrua të largohet në mal prej fshatit Krajkovë për t'i shpëtuar mizorisë së forcave serbe. Familja e tij i qe bashkuar masivisht UÇK-së.
“Me kalimin e kohës filloi edhe lufta në Kosovë 97-99 edhe një pjesë e madhe e familjes sime u inkuadruan në UÇK. Më 10 prill, doktor Hafi Shala është zhdukur më 10 prill, mjek i parë i UÇK -së. Pastaj motra po në atë vit, më 14 dhjetor të 98 ka rënë dëshmore së bashku me të dashurin e saj Hysen Bujupin edhe me komandantin Mujë Krasniqin edhe 40 dëshmorë të tjerë të UÇK-së,” tha ai.
I riu është ndër koleksionistët më të mëdhenj të materialeve nga lufta për çlirimin e Kosovës.
Në arkivin e tij gjen mijëra videokaseta origjinale.
“Ia kam nis për pak kësaj pune, t’u lyp foto, incizime të familjes sime gjatë luftës në mal. Një kasetë, një aty edhe më hyri kjo far pune në gjak," tha Shala.
Kosova jeton ende me të shkuarën e saj pasi i ka të freskëta plagët e gjenocidit serb.
Në koleksionin e Esat Shalës janë gati të gjitha masakrat e vendit, pamje të rënda për të cilat 34-vjeçari thotë se ndjen urrejtje edhe ndaj politikës që nuk po arrin t'ia shlyejë ato popullit.
“Të gjitha partitë që janë kanë në pushtet deri më sot s’kanë bërë kurrgjë për të kaluarën, edhe sot këto pasoja po i vuajmë sepse shumë njerëz sot janë nëpër burgje, ushtarë të pafajshëm për shkak se na nuk kemi bërë asgjë për të kaluarën. Për këtë ata tash janë duke vuajtur burgun të pafajshëm për arsye se ne nuk kemi bërë asgjë për të kaluarën," shtoi Shala.
Shala ka në plan që koleksionin e tij t'ia ekspozojë edhe publikut nëpërmjet një instituti për krimet e luftës.
“Serbia ende pa e ndez luftën në Ballkan në vitin 1993 e ka hap institutin për krime lufte edhe pse vet kriminel kanë qenë ata dhe e kanë ditë që kanë me bë," tha Shala.
Masakrat e forcave serbe në Kosovë lanë të vdekur mbi 14 mijë shqiptarë, rreth dy mijë persona rezultojnë ende të zhdukur, gati 20 mijë gra të dhunuara e mijëra shtëpi të rrënuara.
