Flet Berisha: Basha më mirë të jepte dorëheqjen sesa të dorëzonte sovranitetin e PD-së
Ish-lideri demokrat Sali Berisha ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin 'Cim Peka Live' menjëherë pas përjashtimit nga grupi parlamentar.
I pyetur se a do të bëjë Berisha parti të vetën, ish-lideri demokrat u shpreh se do të bëjë çdo gjë që të rikthejë sovranitetin e PD-së pasi Lulzim Basha e shkelmoi me vendimin e sotëm.
"Unë e kuptoj presionin që ai ka pasur, por pavarësisht nga presioni mendoj se disa herë më parë duhet të konsideronte dorëheqjen e tij, sesa të dorëzonte sovranitetin e PD-së....
Sali Berisha do bëjë gjithçka me çdo demokrat e shqiptar për të vendosur sovranitetin. Lulzim Basha duhet të kishte dhënë 5 herë dorëheqjen para se ta shkelmonte sovranitetin. Berisha nuk ka dashur të implikohet në vendimmarrjen e PD-së por për të gjitha veprimet unë ja kam dhënë disaprovimin tim në mënyrë të vazhdueshme," tha ai.
Ndërsa pyetjes a besoni në marrëveshje të fshehtë Rama-Basha zoti Berisha vendosi t'i përgjigjej në mënyrë jo të drejtpërdrejtë.
"Ne kemi përpara ujkun, jo gjurmët," tha Berisha.
Për emisionin “Opinion” Berisha tha: Kemi të bëjmë me asgjësimin e PD-së si opozitë sovrane. Basha ka zgjedhur shkatërrimin e PD-së nga sovraniteti i saj. Unë e kuptoj fuqinë e jashtëzakonshme të SHBA por PD mund të jetë një parti e vetme solide vetëm si parti sovrane. Basha pranon të shkatërrojë sovranitetin e saj tha ish-lideri demokrat.
"Basha ka zgjedhur shkatërrimin e PD-së. Unë e kuptoj fuqinë e SHBA-së por PD-ja mund të jetë një parti e vlefshme, solide vetëm e vetëm si një parti sovrane. PD-ja mund të jetë një aleate e vërtetë e SHBA-së dhe e çdo vendi tjetër të lirë vetëm si parti sovrane dhe në asnjë mënyrë si parti e cila për rrethana që i di Lulzim Basha pranon të shkatërrojë sovranitetin e saj," tha Berisha.
