Shehi: Po merremi me Berishën kur duhet të merremi me Ramën, nga ai vjen e keqja vendit
Në një intervistë për RTV Ora, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi u shpreh se çështja e Berishës duhet të ishte sqaruar më parë dhe pozicioni i kryetarit do të sqaronte gjithë zhurmën përqark.
Ai tha se të gjithë po merren me Berishën, një personazh që e ka lënë pushtetin, në vend që të merren me Edi Ramën.
Shehi: Kjo do të ishte mirë që të bëhej më parë dhe pozicioni i kryetarit do të sqaronte gjithë zhurmën përqark. Gjykoj se kanë bërë një zgjidhje të mirë, por një zgjedhje që është e pjesshme. Kjo punë do të zgjidhet kur të mbarojë kjo histori në parlamentin shqiptar. Për mua kjo është një temë e tejfryrë. Ne po merremi të gjithë me Berishën, një personazh që e ka lënë pushtetin, në vend që të merremi me Edi Ramën.
Kështu po i bëjmë qejfin Ramës. Ne merremi me Berishën, e di më se kush është me të mirat dhe të këqijat e veta, por ai është larguar nga qeveri para më shumë se 8 vitesh. E keqja e Shqipërisë është ky që po futet nesër në Kuvend me qeverinë e tij që ka 8 vite që e drejton vendin. Po futet për herë të tretë si kryeministër. Nga ky i vjen e keqja.
Shehi shtoi se nëse i takon Berishës të futet në kuvend, kjo i takon KQZ-së sepse ai është gjykuar politikisht.
Shehi: Nëse i takon Berishës të futet në kuvend, kjo i takon KQZ-së. Berisha është gjykuar politikisht. Kur e kanë dashur shqiptarët e kanë votuar 2 herë, po ashtu edhe në vitin 2013 e rrëzuan ashtu sikurse deshën. Prandaj çështja e tij i duhet lënë gjykimit. Këtë çështje e ka fryrë Rama dhe ata që janë përreth tij sepse kanë interesa të caktuara. Ai ka hedhur një gur dhe ne po gjykojmë gurin. Ai parlament duhet të hapej me tema të tjera, se ku po shkon vendi ynë.
