Konferencë në Itali: Dy mln euro për të luftuar mafian në Evropë, pjesë dhe Shqipëria

Është mbajtur sot në qytetin e Palermos në Sicili, takimi i rrjetit operativ ndërkombëtar antimafia ku bën pjesë dhe Shqipëria.

22 vendet aderuese kanë prezantuar projektin me vlerë 2 milionë euro, financuar nga BE për të luftuar mafian e grupet mafioze emergjente që kërcënojnë sigurinë e ekonominë legale.

10.3 milionë euro të sekuestruara, 283 kriminelë të arrestuar 54 hetime ndërkombëtare, 653 investigues të impenjuar në shtete të ndryshme, 4 persona të rrezikshëm të kapur pas muaj e vitesh hetimi, sekuestrimi i sasive të ndryshme lëndësh narkotike e armë, si dhe zbulimi e shkatërrimi i 23 plantacioneve me marijuanë është bilanci i projektit ndërkombëtar OMNET, i rrjetit operativ Antimafia, bërë publik sot në Sicilia të Italisë gjatë "Konferencës operativa kundër organizatave kriminale mafioze të nivelit të lartë e Mafia Style".

Takimi i mbajtur në sallën bunker të Gjykatës së Palermos, u zhvillua me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta policore e gjyqësore të 22 vendeve të botës mes të cilëve dhe Shqipëria, si dhe të drejtuesve të 27 Forcave policore.

Të pranishëm në këtë Konferencë ishin kreu i Prokurorisë Europiane Laura Codruța Kövesi, Kreu Ekzekutiv Europol Catherine De Bolle, Kreu i Eurojust Ladislav Hamran, KryeProkurorori i Antimafias italiane, Frederico Calfiero De Raho, Kreu i Policisë Italiane Lamberto Gianinni, Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanzës Giuseppe Zaffarana.

Rrjeti i Antimafias ngritur nën nismën e Departamentit të Antimafias Italiane, ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftë kundër grupeve më të rrezikshme të krimit të organizuar të tipit mafioz e atyre emergjente të etnisë shqiptare, nigeriane, kineze e ruse, që kanë një impakt tek vendet anëtare të Bashkimit Evropian, pavarësisht tipit të aktivitetit të tyre kriminal.

Gjatë konferencës së sotme, Antimafia Italiane prezantoi projektin e ri, i emërtuar "ISF4@ON", me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2022 duke kërkuar vëmendjen e Komisionit Evropian për financimin e tij me vlerë  2 milionë euro.

Ky projekt do të jetë një vazhdimësi i atij të mëparshëm "OMNET", me kohë 2-vjeçare, e qëllim mbrojtjen e ekonomisë legale e sigurisë së qytetarëve të vendeve anëtare të BE.

Konferenca e Palermos u përshëndet nga Kreu i Parlamentit Europian Davide Sassoli në një video mesazh ku u shpreh se "lufta kundër mafias duhet të jetë një prioritet i axhendës evropiane e kërcënimi ndërkombëtar i tyre kërkon një përgjigje të koordinuar."

"Grupet mafioze synojnë të infiltrohen në sektorë të ndryshëm të ekonomisë e në institucione e kërcënojnë besimin e qytetarëve, prandaj dhe Bashkimi Evropian e ka të domosdoshme bashkëpunimin mes vendeve të ndryshme", tha ai.

Konferencë në Itali: Dy mln euro për të luftuar mafian