CDU-CSU humbet pikë të tjera, Scholz i PSD-së takon Macron për të ardhmen e Europës

Konservatorët e CDU-CSU-së po e thellojnë disavantazhin me socialdemokratët teksa mbeten më pak se 20 ditë nga zgjedhjet federale. Olaf Sholc, kandidati favorit për kancelar, diskutoi vizionin e tij për Europën gjatë një pritjeje në Paris nga presidenti Makron.

Socialdemokratët gjermanë kanë shpresa për marrjen së shpejti të pushtetit, teksa përflitet për një koalicion që do i lë jashtë konservatorët.

Ministri i Financave, Olaf Sholc, njëherësh kryetar i PSD-së dhe favoriti mes rivalëve për kancelar, u prit të hënën nga presidenti francez, Emanuel Makron.

Dy politikanët folën për të ardhmen e Europës, për krizën epidemike dhe ndryshimet klimatike, dhe "siguruam që Europa ta mbetet sovrane në rendin botëror," u shpreh Sholc pas takimit me presidentin e Francës, vend me të cilin ka thënë se do i forcojë raportet nëse vjen në qeveri.

Rivali i tij kristiandemokrat, Armin Lashet, pritet të vizitojë pallatin Elize gjatë javës ndërsa nga Parisi nuk është njoftuar një ftesë për kandidaten tjetër për kancelare, Analena Berbok, e cila përfaqëson Partinë e Gjelbër.

Kristiandemokratët e CDU-së e kontrollojnë qeverinë gjermane prej 16 vitesh me kancelaren Angela Merkel në krye të saj.

Më 26 shtator vendi mban zgjedhjet dhe ditë më vonë pritet largimi i Merkelit nga politika.

Zëvendësi i saj, Armin Lashet, mbetet figurë më pak e pëlqyer nga publiku gjerman dhe sondazhet e nxjerrin CDU-CSU-në me një diasavantazh 5 pikë me socialdemokratët e Sholcit që renditen të parët me 26 për qind, ndërsa të Gjelbrit, të tretët me 15 për qind.

63-vjeçari Sholc tha të dielën se ai mund të qeveriste me ambientalistët, por i duhet një partner i tretë për të pasur qëndrueshmëri.

Paraprakisht është përjashtuar mundësia për futjen në koalicion të ultramajtistëve të cilat janë vetofruar, ndërsa CDU-ja i ka bërë thirrje Partisë së Demokratëve të Lirë t'i refuzojnë rivalët.

"Rruga më e mirë për vendin do të ishte një qeveri federale e CDU-CSU-së me kancelar Armin Lashet, sepse qeveria e tij nënkupton stabilitet, besueshmëri, moderim dhe bindje politike të qendrës siç i duhen tani Gjermanisë," deklaroi kancelarja në ikje, Merkel.