Historia emocionuese, vajza dhuron një pjesë të mëlçisë së saj për të shpëtuar babanë e sëmurë rëndë
Mike Maudal, nga Carlos, Minesota po feston një mundësi të re për të jetuar falë vajzës së tij, e cila dhuroi një pjesë të mëlçisë për ta shpëtuar.
"Tani mund të marr të gjitha tiparet pozitive të Molly sepse ato janë tashmë pjesë e imja," tha Mike, duke iu referuar vajzës së tij, Molly Maudal.
"Unë sigurisht që kam një vlerësim të jashtëzakonshëm për Molly."
Mike Maudal, 62 vjeç, po përgatitej të tërhiqej nga puna e tij si oficer gati gjashtë vjet më parë kur shkoi te doktori për një kontroll rutinë.
Mjeku vuri re diçka të pazakontë në shëndetin e tij dhe e dërgoi në Klinikën Mayo në Rochester, Minesota.
Pas kontrollit ai u diagnostikua me "steatohepatit jo-alkoolik (NASH)", një formë agresive e sëmundjes së mëlçisë, e cila mund të përparojë në cirrozë të mëlçisë, sipas Klinikës Mayo.
Mike Maudal tha se ishte "shumë i befasuar" nga diagnoza, të cilën mjekët fillimisht e trajtuan me dietë dhe ilaçe.
Dy vite më vonë mjekët i thanë se kishte nevojë për transplant të mëlçisë.
"Fillimisht e mohova. Unë nuk e mendova se isha aq i sëmurë dhe do të kisha nevojë për transplant, tha Mike Maudal.
"Mendova se do të mposhtja me ilaçe dhe dietë."
Molly, 23 vjeç dhe nëna e saj, Cindy Maudal, panë se si Mike filloi të binte shpejt si fizikisht ashtu edhe mendërisht.
"Ishte vërtet e vështirë. Ai thjesht u sëmur dhe u dobësua dhe po luftonte me shëndetin e tij," tha Cindy Maudal.
"Kur unë isha duke u rritur ai ishte aq i shëndetshëm dhe ta shihje atë të humbiste nga sëmundja ishte vërtet e vështirë," tha Molly.
Mike Maudal u vendos në listën e pritjes së transplantit të mëlçisë.
Mjekët dhe familja e tij, u shqetësuan se ai nuk do të ishte aq i fortë fizikisht sa të priste derisa të kishte të drejtë të kryente transplantin për mëlçi nga një dhurues i vdekur.
Familja filloi të merrte në konsideratë një transplant të mëlçisë nga një dhurues i gjallë.
Një dhurues i gjallë është në gjendje të dhurojë vetëm një pjesë të mëlçisë së tij sepse mëlçia e mbetur rritet në madhësinë dhe kapacitetin e saj normal brenda pak muajsh, dhe pjesa e dhuruar e mëlçisë gjithashtu rritet dhe rikthen funksionin normal të mëlçisë te marrësi.

Kur Cindy Maudal nuk u kualifikua si dhuruese për burrin e saj, familja filloi të pyeste të afërmit dhe miqtë e ngushtë për mundësinë e dhurimit, por nuk arritën të gjenin përputhje.
Molly kishte të njëtin grup gjaku me babain e saj dhe në atë kohë ishte në kolegj .
Në vitin 2020 mjekët në Klinikën Mayo i thanë Mike Maudal se shansi i tij i vetëm për të mbijetuar nga sëmundja e mëlçisë ishte gjetja e një dhuruesi të gjallë.
Molly më pas filloi procesin e vlerësimit si një donator i mundshëm për babanë e saj, duke iu nënshtruar analizave fizike dhe duke u takuar me mjekë, si dhe një psikiatër dhe punonjës social.
Nga analizat rezultoi se ajo mund të ishte një dhuruese për babain e saj.
"Ishte një lehtësim i madh të dije se kishim përputhje dhe pritja dhe pasiguria për të gjetur një donator kishte mbaruar, vetëm për të ditur se ai kishte një shans tani," tha ajo.
Nuk i respektoi masat kundër Covid-19, mbyllet lokali i deputetes
6 Shtator, 16:47
Vetëm dy muaj më vonë, më 11 qershor, dyshja babë-bijë Maudal iu nënshtrua një transplanti të mëlçisë në Klinikën Mayo.
Në datën 11 qershor, ditën kur u bë transplanti i tyre, 24 vjet më parë në të njëjtën datë Cindy dhe Mike Maudal zbuluan se ishin shtatzënë me fëmijën e tyre të vetëm.
"Kjo është dita kur zbuluam se po i jepnim jetë Molly -t, dhe përfundoi të njëjtën ditë vite më vonë kur ajo i dha babait të saj jetë të re," tha Cindy Maudal. /OraNews/


