Talibanët zënë dhe "Pesë luanët", Panjshir u pushtua pas tri javëve qëndresë

Provinca verilindore e Panjshirit, e njohur për qëndresën antitalibane dhe antisovjetike edhe me epitetin "Pesë luanët", është pushtuar nga talibanët që tani kanë tërë pushtetin në Afganistan. Tani pritet edhe shpallja e qeverisë së re afgane

Talibanët deklaruan të hënën marrjen nën kontroll të plotë të Afganistanit, pas suksesit edhe në vatrën e fundit të rezistencës, në Panjshir.

Tri javë pasi pushtuan Kabulin, Zabihullah Muxhahid, zëdhënësi i talibanëve, tha se fitorja e nxjerr vendin plotësisht nga moçali i luftës.

Kryengritësit, nga ana tjetër, kundërshtuan duke thënë se kontrollojnë ende pozicionet strategjike të Luginës dhe do e vijojnë qëndresën e tyre.

Sipas Muxhahidit, ish-zv.presidenti afgan i cili iu bashkua Frontit të Rezistencës u arratis gjatë javës së kaluar drejt Taxhikistanit fqinj.

Ndërkohë qëndresën gjithë këto javë e priu Ahmed Masud, djali i një komandanti antisovjetik dhe antitaliban i cili kishte bërë thirrje për dialog.

Zëdhënësi i talibanëve sqaroi se dialogu ishte i pamundur për shkak të kërkesave jorealiste të kryengritësve.

Luftimet në Panjshir penguan javën e kaluar formimin e qeverisë së re me talibanët në krye.

Muxhahidi premtoi një kabinet përfaqësues për të gjitha grupet etnike të Afganistanit, por edhe bëri apel për ndihma humanitare nga jashtë.

Një ditë më parë, autoriteti taliban për arsimin sqaroi se do të tregohet gjithëpërfshirës edhe me femrat, të cilat do të lejohen të ndjekin universitetin në klasa të ndara nga meshkujt, të paktën me perde, dhe do të jenë të detyruara të mbajnë një rrobë të gjatë e fytyrën e mbuluar.

Zëdhënësi i talibanëve tha se janë në pritje edhe të rifillimit të fluturimeve ndërkombëtare në aeroportin e Kabulit, që sipas tij u la i dëmtuar nga amerikanët përpara largimit nga vendi.