Ballës iu hoqën postet në PS/ Mile: Rama po largon ‘kriminelët’ nga ‘skena e krimit’

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, politologu Klementin Mile, ka komentuar Asamblenë e PS që u mbajt ditën e sotme (2 shtator), ku dhe u publikuan emrat e rinj të kabinetit të qeverisë Rama 3.

Fatet e deputetëve në duart e Ramës

Në lidhje me fjalimin e Kryeministrit Rama, Mile thotë se ishte i pritur, ndërsa shton se shpreson që këtë herë të ketë një lloj përmbajtje pasi është në mandatin e tretë, ose siç ëhstë quajtur ndryshe mandati historik.

Ai thotë se tashmë nuk ka debate në forumet politike, ndërkohë thekson se është kryetari i partisë ai që vendos për fatet e personave që janë në parti.

“Përtej emrave që u promovuan dhe atyre që nuk e patën këtë shans, mund të thuhet se fjalimi i Kryeministrit Rama synonte që të prekte emocionalisht një masë sa më të gjerë, jo vetëm për socialistët, por për të dhënë një mesazh më të gjerë në popull, për të thënë që shumë gjëra janë bërë jo mirë, që ka vend për korrigjim, duke minimizuar rëndësinë e opozitës dhe duke thënë që luftën e kemi me veten. Ky ishte një fjalim i pritshëm, Rama e ka bërë edhe herë të tjera. Këtë herë megjithatë shpresoj të ketë një lloj substance një lloj përmbajtje, sepse në fund të fundit, ky quhet edhe mandati historik.

Janë të rralla ato raste, ky ka pasur debat në forumet e rëndësishme të një partie politike. Unë kujtoj kohën kur Fatos Nano dhe Ilir Meta përplaseshin, pra është një kohë shumë e largët, ndërkohë tashmë kemi një lloj paqtimi, një lloj harmonie, thjesht të gjithë presin se çfarë është vendosur për fatin e tyre, për karrierën e tyre. Më shumë sesa një risi në kuptimin që do kemi diçka të re, kemi më shumë fatet personale të individëve të caktuar të partisë, që të thuash shkon karriera e disave shkon më sipër, e disa të tjerëve më poshtë.

Poll

Rama merr vendime përmes kritereve enigmatike

Mile thotë se Rama, bën zgjedhjet në bazë të kritereve të tij enigmatike, që asnjëherë nuk i ka bërë të ditura, ndërsa thekson se kreu i qeverisë ka arritur që të menaxhojë konfliktet brenda partisë.

"Nuk besoj që pozicioni i Ramës, ka qenë ndonjëherë në dyshim, pra në kuptimin e plotë të fuqishmërisë. Më shumë të krijohet ideja që Rama ka kriteret e veta mbi të cilat bën vendimarrjet, dhe janë kritere që kanë mbetur enigmatike, atë e di ai. Në fund të fundit këto janë ktritere vendimarrje që nuk kanë ndonjë lidhje integrale me strategjinë e qeverisë, me stilin qeverisës.

Duket që Rama nuk ka problem kritikat në partinë e vet, pra kritikat që mund të bëhen, zërat oponentë me të, siç tregon trajtimi që i ka bërë Bushatit. Është një mënyrë menaxhimi interesash brenda partisë që e kemi pak të vështirë ta komentojmë sepse nuk e dimë tamam grupimet apo klanet dhe si janë konfliktet dhe me siguri ka konflikte që Rama deri më tani ka arritur t’i menaxhojë."

Rama largon ‘kriminelët’ nga ‘skena e krimit’

Përsa i përket largimit të deputetit Taulant Balla, nga dy poste të rëndësishme (si drejtues qarku në Elbasan, dhe kreu i grupit parlamentar) politologu shprehet se Rama po largon ‘kriminelët’ nga ‘skena e krimit’, pasi Elbasani njihet si një nga vendet më të zhurmshme në vendin tonë.

"Mund të shikohet si penalizim i Ballës, duke qenë se e heq nga disa pozita komode që ai kishte krijuar me punën e vet në atë qark, mund të shihet edhe si promovim i Gjiknurit, por nga ana tjetër mund të shikohet edhe si besim që i jepet zotit Balla, për të filluar nga zeroja, pra duke e parë si një njeri të aftë që ta ngrejë parti dhe diku tjetër. Elbasani ka qenë një qark ku PS ka arritur të fitojë gjithmonë,  me përjashtim të vitit 2005. 

Në këtë kuptim Balla ka pasur aksionet e veta në këtë qark, ka krijuar rrjetin e vet, në fund të fundit është bërë një njeri i fuqishëm, falë kontributit që ka dhënë në atë qark. Në këtë sens ky është komoditeti i Ballës. Balla mund të fitonte sërish zgjedhjet e ardhshme në Elbasan, gjë që nuk do e ketë kaq të lehtë në qarkun e ri ku është përcaktuar. Problemi është se qarku i Elbasanit është një nga më të përfolurit, për vrasjet, për shitblerje votash. Pra është një qark që nuk shquhet për pastërtinë e këtyre gjërave. Duke distancuar Ballën nga Elbasani duket sikur heq një target të opozitës, duke e vendosur Ballën diku tjetër

Rama është duke larguar ‘kriminelët’ nga ‘skena e krimit’, në këtë sens, kështu janë akuzat fundja. Gjiknuri akuzohet për atë që dimë, por jo në Elbasan, Balla jo në Fier.

Mund të kenë qenë interesa, ose menaxhime grupimesh brenda partisë, që nuk kemi informacion se cilat grupime janë në një lloj konkurrence, dhe që Rama si kryetar i kësaj partie duhet t’i menaxhojë këto interesa."

Deputetët në borxh ndaj Ramës e jo ndaj popullit

Mile thotë se në qeverinë Rama është një lloj rivaliteti përpara audiencës së Kryeministri që të vlerësojë performancën e njërit apo tjetrit.

Ai shton se deputetët janë më shumë në borxh me Ramën sesa me popullin, pasi është ai që i vendosi në listë dhe ai mund t’i heq.

"Duket se jemi para një qeverisje të qëndrueshme edhe për katër vitet e ardhshme të Ramës, prandaj nuk bëhet fjalë për rivalitet përpara tribunalit popullor. Këtu është një lloj rivaliteti përpara audiencës së Kryeministri që të vlerësojë performancën e njërit apo tjetrit. Jemi në gjendje ku deputetët ja kanë më shumë për borxh kryetarit sesa popullit. Ai i vendosi në lista ai mund t’i heq nga lista. Audienca e rëndësishme për ta është Rama. Karriera e tyre varet më shumë nga Rama sesa nga gjykimi popullor."

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.