Shqipëria dhe 12 shtete të tjera, Blinken tregon vendet që do strehojnë afganët, dhe ata ku do kalojnë vetëm tranzit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se 13 vende kanë pranuar deri tani të strehojnë, të paktën përkohësisht, refugjatë afganë të evakuuar.

Blinken tha se afganët që mund të përfitojnë nga statusi i refugjatët nuk kanë kaluar ende procesin e kontrollit për t’u vendosur në SHBA dhe do të strehohen përkohësisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kanada, Kolumbi, Kosta Rika, Kili, Meksikë, Poloni, Katar, Ruandë, Ukrainë dhe Ugandë.

"Ne jemi të inkurajuar nga vendet e tjera që po shqyrtojnë gjithashtu ofrimin e mbështetjes. Ne nuk kemi përparësi më të lartë sesiguria e qytetarëve amerikanë, dhe për të përmbushur angazhimet tona ndaj qytetarëve të kombeve partnere dhe afganëve në rrezik", thotë Blinken.

Ai shtoi se të paktën 12 vende si Gjermania, Italia, Danimarka, Kazakistani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania, Kuvajti, Katari, Taxhikistani, Bahreini, Turqia, dhe Uzbekistani, kanë pranuar të veprojnë si rrugë tranziti për të evakuuarit.

Sipas NATO-s më shumë se 18,000 vetë janë evakuuar që kur militantët talebanë morën kryeqytetin e vendit, Kabulin.