Shpërthen autocisterna në Liban, të paktën 28 viktima, 80 të plagosur
Shpërthimi i një autocisterne ka lënë të paktën 28 të vrarë dhe rreth 80 janë plagosur në aksidentin e së dielës në veri të Libanit.
Plagët e marra nga viktimat e aksidentit janë të rënda dhe mes tyre ka edhe të karbonizuar në gradën sa nuk po arrihet të identifikohen.
"Nga 40 pacientë që kemi, 24 janë në urgjencë dhe 18 i kemi dërguar në repartin e djegieve. Të tjerët janë rëndë, me shkallë të lartë djegiesh deri në 40 për qind të trupit dhe mund të arrijnë në 100 për qind. I kemi vënë në respiratorë."
Libani është një ndër shtetet e Lindjes së Mesme që po kalon një krizë financiare, e cila pritet të përkeqësohet nga vendimi i fundit i bankës qendrore libaneze për të ndalur subvencionet nga shteti për karburantet.
Për të përfituar nga situata dhe rritja e pritshme e çmimeve, disa shitës karburantesh po refuzojnë t'u shesin nënproduktet qytetarëve ose po i kontrabandojnë dhe po i shesin në tregun e zi.
"Dje u gjetën 60 mijë litra në shtëpinë e dikujt, ndaj u thirr ushtria për ta konfiskuar e për t'ua shpërndarë sasinë pikave të karburantit. Ushtria u tërhoq dhe njerëzit u lanë të përleshen, duke sjellë për pasojë këtë që shohim sot."
Tragjedia e fundjavës shkaktoi zemërim në qytetin e Akarit pasi viktimave nuk iu ofrua ndihma në kohë dhe shumë të plagosurve iu refuzua shërbimi spitalor pasi nuk ishin të specializuar për djegiet e rënda.
Ngjarja erdhi dy javë pasi vendi përkujtoi njëvjetorin e shpërthimit tjetër në portin e Bejrutit, që la të paktën 214 të vrarë.
Që atëherë, Libani ka mbetur pa një qeveri të zgjedhur dhe po ndjek reformat me FMN-në.


