Merkel: SHBA u tërhoq nga Afganistani edhe për arsye të politikave të brendshme

Kancelarja gjermae, Angela Merkel, e përshkroi situatën në Afganistan "të hidhur" dhe tha se vendimi për tërheqjen e trupave perëndimore u mor nga Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera, "për arsye të politikave të brendshme".

"Ekziston një efekt domino pas tërheqjes së forcave ushtarake," tha kancelarja gjermane gjatë një takimi me dyer të mbyllura të zyrtarëve të Unionit Kristian Demokratik (CDU).

"Ne thamë se do të qëndrojmë për aq kohë sa qëndrojnë amerikanët," është shprehur Merkel.

Megjithatë, Angela Merkel shprehu mirëkuptim për vendimin e Joe Biden, duke thënë se SHBA ka paguar një çmim të rëndë për sa i përket humbjeve gjatë 20 viteve të pranisë së saj në Afganistan.

"Për të gjithë ata që janë përpjekur të veprojnë për përparim dhe liri, në këtë vend, veçanërisht për gratë, zhvillimet janë të hidhura," tha ajo.

"Tani për tani, ka shumë njerëz që duan të largohen nga vendi," tha kancelarja gjermane, duke premtuar se do të bëjë gjithçka që është e mundur për t'i ndihmuar ata dhe organizatat joqeveritare që i mbështesin.

Gjermania ka regjistruar 2,500 njerëz në Afganistan të cilët mund të evakuohen, shumica afganë dhe familjet e tyre që kishin punuar për ushtrinë gjermane.

Atyre iu shtuan edhe 2,000 persona të tjerë, juristë, aktivistë të të drejtave të njeriut, të cilët gjithashtu kanë shprehur dëshirën për t'u larguar. Nëse merren parasysh anëtarët e familjeve të tyre, atëherë numri shkon gjithsej në 10.000 njerëz, tha Angela Merkel.

Më herët, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane u tha gazetarëve në Berlin se asnjë aeroplan nuk po largohej nga aeroporti i Kabulit për shkak të turmës së dëshpëruar që kishte mbushur plot aeroportin.

Dyzet anëtarë të stafit të ambasadës gjermane në Kabul u nisën për në Doha brenda natës, tha zëdhënësi, duke shtuar se një grup i vogël prej dhjetë personash do të qëndrojnë në aeroportin e kryeqytetit afgan për të koordinuar operacionin e evakuimit.