Përmbytjet në Turqi/ Rritet bilanci i viktimave, 70 viktima dhe 47 të zhdukur
Përmbytjet që përfshinë qytete në provincat turke, në afërsi të Detit të Zi kanë vrarë të paktën 70 njerëz, teksa ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të 47 personave të zhdukur, njoftuan autoritetet vendase të hënën.

Përmbytjet e javës së kaluar bënë kërdinë pasi përrenjtë përmbytën dhjetëra makina, duke shkatërruar ndërtesa dhe ura, duke bllokuar rrugët dhe duke dëmtuar infrastrukturën e energjisë elektrike.
Gjashtëdhjetë njerëz u vranë nga përmbytjet në provincën Kastamonu, nëntë të tjerë në Sinop dhe një në Bartin, tha Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
47 persona raportohen të zhdukur në Kastamonu dhe Sinop.

Pamjet e dronit tregojnë dëme masive në qytetin Bozkurt në provincën Kastamonu, ku ekipet e shpëtimit po kërkojnë njerëzit e zhdukur brenda ndërtesave të dëmtuara gjatë fundjavës.
Të paktën 2,000 njerëz u evakuuan nga zonat e prekura, disa me ndihmën e helikopterëve dhe anijeve, raportoi AFAD.

Shërbimi meteorologjik paralajmëroi mundësinë e përmbytjeve të mëtejshme për shkak të shirave të dendur që priten sot në provincat e Detit të Zi në lindje të zonave të prekura javën e kaluar.

