Katër oficerë rrëfejnë sulmet në Kapitol: Patëm frikë për jetën!

Katër oficerë të policisë dëshmuan para një komisioni hetimor të Kongresit, mbi sulmin e mbështetësve të ish-Presidentit Trump në Kapitol. 6 muaj pas ngjarjeve që tronditën botën, Kongresi po mbledh dëshmi dhe fakte mbi sulmin që shkaktoi disa viktima dhe dhjetëra të plagosur.

 “Ajo që ne përjetuam atë ditë ishte si diçka nga një fushëbetejë mesjetare. Ne luftuam me duar për çdo centimetër për të parandaluar pushtimin e Kapitolit nga një turmë e dhunshme që synonte të prishte procesin tonë demokratik. Mendova se do të vdisja”.

Kjo ishte dëshmia mes lotëve e një prej katër oficerëve të policisë që dëshmuan para një komisioni hetimor të Kongresit, që po heton mbi sulmin e mbështetësve të Presidentit të atëhershëm Donald Trump në Kapitol më 6 janar.

Aquilino Gonell, rrëfeu më pas se “kryengritësit e quajtën “tradhtar” dhe bërtitën që të “ekzekutohej”. ”

Bashkë me oficerin Gonell, edhe tre policët e tjerë rrëfyen në ditën e parë të seancave dëgjimore publike mbi dhunën vdekjeprurëse që ndodhi më shumë se gjashtë muaj më parë.

Ata thanë se kishin frikë për jetën e tyre ndërsa rreth 800 protestues sulmuan forcat e zbatimit të ligjit, i tallën ata me epitete racore dhe politike.

Oficeri i policisë së qytetit të Uashingtonit, Michael Fanone tha para ligjvënësve:

“Më kapën dhe më rrahën ndërsa më quanin tradhëtar të vendit tim. Isha në rrezik të vjedhjes së armës dhe vrasjes më armën time”.

Ndërsa Oficeri i policisë së qytetit të Uashingtonit, Daniel Hodges dhe polici afrikano-amerikan i Kapitolit, Harry Dunn thanë se policia nuk ishte në gjendje të përballonte valën e protestuesve.

Republikanët e Senatit bllokuan krijimin e një komisioni të pavarur dypartiak për hetimin e ngjarjeve.

Në vend të tij demokratët, me mbështetjen e dy republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve krijuan komisionin që tani po heton sulmin ndaj Kapitolit, ku janë të akuzuar më shumë se 500 protestues.

Gjatë sulmit të 6 janarit një protestues u qëllua për vdekje nga një polic i Kapitolit gjatë përleshjeve, tre protestues vdiqën dhe dy oficerë të tjerë të policisë u vetëvranë në ditët në vijim.