Delta rikthen maskat në SHBA
SHBA-të kanë vendosur të rikthejnë maskën në ambientet e mbyllura për të gjithë qytetarët amerikanë, edhe të vaksinuarit. Rekomandimi vjen nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve për shkak të shqetësimeve që paraqet varianti më ngjitës i koronavirusit, Delta.
Shqetësimi në rritje nga përhapja e variantit të ri Delta të koronavirusit ka bërë që Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara të rekomandojë që amerikanët e vaksinuar plotësisht t’i kthehen vendosjes së maskës në ambiente të mbyllura.
Njëkohësisht, këshillohen edhe të gjithë nxënësit, mësuesit dhe stafet në kopshte dhe në shkolla të mbajnë maska.
Drejtorja e Qendrës, Rochelle Walensky, tha se synimi është të frenohet përhapja e variantit Delta dhe të mbrohen të pavaksinuarit.
“Edhe pse efikasiteti i vaksinave mbetet i lartë ndaj variantit Delta, të dhëna të reja tregojnë se, në raste të rralla, disa njerëz të vaksinuar mund të jenë ngjitës dhe ta përhapin virusin te të tjerët”.
Shtetet e Bashkuara janë duke regjistruar një mesatare javore prej 57,000 rastesh të të infektuarve. Shifra paraqet rreth një të katërtën e infeksioneve nga kulmi ditor i janarit, por është pothuajse pesë herë më e lartë se niveli i fillimit të korrikut, çfarë e bën virusin më të transmetueshëm.
Javët e fundit, qeveri të ndryshme shtetërore dhe lokale, kompani private, administratorë të spitaleve dhe universitete në të gjithë SHBA-në kanë rikthyer detyrimin për maska në ambiente të brendshme dhe kanë lëshuar urdhra për vaksinim.
Rreth 49 për qind e popullsisë amerikane është plotësisht e vaksinuar. Sipas Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 34 milionë të infektuar dhe mbi 611,000 viktima.

