Rivendoset komunikimi mes Koreve, palët pajtohen pas një viti
Dy Koretë, ajo e Veriut dhe Jugut, një vit pas bllokimit të komunikimeve mes tyre kanë vendosur për rikthimin e dialogut. Dy udhëheqësit e dy vendeve gjatë një bisede telefonike, janë angazhuar “për rikthimin e besimit dhe pajtimin”.
Një vit pas bllokimit, Koreja Veriore dhe ajo Jugore kanë bërë të ditur se kanë rikthyer komunikimet.
Ky pajtim mes dy vendeve nënkupton edhe një angazhim për përmirësim të marrëdhënieve mes palëve.
Rivendosja e bisedimeve vjen pas një sërë samitesh të dështuara të organizuara nën drejtimin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit koreanoverior, Kim Jong Un.
Media shtetërore koreaneveriore, KCNA, ka thënë se të gjitha kanalet e brendshme koreane, do të rikthehen më 27 korrik, në përputhje me marrëveshjen e arritur në mes të Kim Jong Un-it dhe presidentit koreanojugor, Moon Jae-in.
Dy homologët mësohet se kanë zhvilluar një bisedë telefonike mëngjesin e së martës, konfirmon Ministria për Bashkim në Seul, e cila shton se një thirrje tjetër do të kryhej të martën pasdite dhe më pas çdo ditë.
Sipas zyrës presidenciale të Koresë së Jugut, udhëheqësit e të dy vendeve kanë rënë dakord të rindërtojnë besimin dhe të përmirësojnë lidhjet. Ata kanë shkëmbyer disa letra personale që nga Prilli, shtoi deklarata.
Koreja e Veriut ndërpreu komunikimet me telefon në qershor të vitit 2020 ndërsa marrëdhëniet u acaruan pas një samiti të dështuar midis dy vendeve.
Pak më vonë, Koreja e Veriut shpërtheu një zyrë kufitare ndër-koreane që ishte ndërtuar për të përmirësuar komunikimet.
Të dy Koretë mbeten teknikisht në luftë sepse konflikti korean1950-1953 përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje.

