Studim: Dy doza Pfizer ose AstraZeneca, efektive kundër variantit Delta
Një studim në Britaninë e Madhe ka dalë në përfundimin se dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech ose AstraZeneca kundër koronavirusit janë efektive kundër variantit Delta dhe atij të mëhershëm Alfa. Gjetjet e publikuara në revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”, dëshmon efikasitetin e vaksinave, të konfirmuar në muajin maj edhe nga Autoriteti i Shëndetit Publik në Angli.
Sipas studimit të ri, dy doza të vaksinës Pfizer janë 88 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike nga varianti Delta i koronavirusit, krahasuar me 93.7 për qind efektivitet kundër variantit Alfa. Ndërkaq edhe dy doza të AstraZeneca-s, janë 67% efektive kundër variantit Delta dhe 74.5% efektive kundër variantit Alfa. Sipas të dhënave të publikuara, një dozë nuk ofron mbrojtje të madhe në asnjërin rast.
Edhe zyrtarë të OBSH-së kanë konfirmuar më herët se vaksinat janë efektive kundër variantit Delta. Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, në të gjithë botën janë dhënë mbi 3.7 miliardë vaksina kundër koronavirusit. Në nivel global, koronavirusi ka prekur mbi 192.5 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 4.1 milionë kanë vdekur.
Varianti Delta i koronavirusit, i identifikuar për herë të parë në Indi, raportohet të jetë më ngjitës se variantet e mëparshme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Këtë javë, Organizata ka paralajmëruar të merren masa pasi Delta mund të bëhet dominuese brenda disa muajsh.


