Varianti Delta i virusit, mjekja: Është më i rrezikshëm nga sa e kishim parashikuar
Mjekja dhe kryetarja e Federatës së mjekëve shqiptarë në Evropë, Aurora Meta- Dollenberg në një lidhje të drejtpërdrejtë për Ora News, u shpreh se varianti Delta i virusit është më i rrezikshëm nga sa ishte parashikuar.
Sipas mjekes, numrat e personave të të infektuarve me këtë lloj virusi në Gjermani janë ende të vegjël, prandaj nuk mund të thuhet që është situatë alarmante.
Meta: "Varianti Delta është më i rrezikshëm nga ç'kishim parashikuar. Ishim fokusuar vetëm tek efektet anësore, por kemi vënë re që në Evropë kemi pasur dhe komplikacione të rënda dhe të mushkërive dhe të organeve të tjera. Rreziku përsa i përket Deltës është rritur. Jemi vigjilentë, por akoma është një përqindje shumë e ulët e të prekurve që mund të themi jemi në një zonë alarmi ose një zonë të kuqe. Është akoma e gjelbër në portokalli përsa i përket rrezikut."
Meta u shpreh se të pavaksinuarit janë më të rrezikuar për t'u prekur nga varianti Delta. Përsa i përket vaksinimit në Shqipëri, mjekja tha se janë bërë hapa pozitivë, por deri në vjeshtë pritshmëria është që 60 % e popullsisë të jetë vaksinuar.
Meta: "Subjekt për t'u prekur nga Delta por edhe mutacionet e tjera janë të pavaksinuarit, prandaj dhe ky është mbase një rast i mirë për t'i kujtuar të gjithë që kanë harruar të marrin vaksinën. Vjeshtën nuk e kemi të sigurt, prandaj jemi gjithmonë të mbipyetur kur vjen pyetja se çfarë do ndodhë me vjeshtën. Por për sa kohë jemi korrekt si qytetarë themi se vjeshtën e përcaktojmë vetë nëse do jetë e sigurt. Në Shqipëri kemi një evolucion shumë pozitiv përsa i përket vaksinimit. E dëshirueshme është që në vjeshtë të kemi 60 % të njerëzve të vaksinuar dhe prandaj ne si federatë po punojmë që për Shqipërinë të vijë një donacion i radhës nëpërmjet BE-së. Varianti Delta prek në shumë raste dhe zemrën duke çuar në pezmatim të muskulit të zemrës."
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
