I nxehti në SHBA, përhapen vatrat e zjarrit, vdesin dy zjarrfikës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me temperatura ekstreme dhe vatra zjarri që po përhapen në gjithë zonat perëndimore.

Banorëve të Kalifornisë u është bërë thirrje të ulin konsumin e energjisë dhe të fikin aparaturat që nuk përdorin, veç freskoreve dhe ajrit të kondicionuar, pasi rrjeti është mbingarkuar.

Lugina e Vdekjes në territorin kalifornian regjistroi të premten temperaturën 54,4 gradë Celsius, ndërsa në Arizonë dy zjarrfikës humbën jetën duke këqyrur vatrat e zjarrit me avion.

Autoritetet thonë se mjedisi është aq i ngrohtë dhe i thatë sa edhe uji që hedhin nga ajri për t'i shuar flakët avullon përpara kontaktit me zjarrin.

Qershori ishte muaji më i nxehtë për rajonin.

Vatrat e zjarrit po kërcënojnë tashmë shtetet e Nevadës, Kalifornisë dhe Oregonit.

Vitin e shkuar, zjarret në Kaliforni dogjën mbi 1,6 milion hektarë tokë me bimësi të thatë.

Këtë vit autoritetet kanë dalë me ide origjinale, dhe përveç mureve mbrojtëse po përdorin kafshët si dhitë për të eliminuar barërat e thatë që për vit kanë nxitur përhapjen e vatrave.