Bullgaria voton sot për herë të dytë brenda 3 muajve, garë e ngushtë mes dy partive kryesore
Për herë të dytë brenda tre muajve, Bullgaria zhvillon sot zgjedhjet parlamentare.
Kjo pasi votimet që u mbajtën në prill, nuk prodhuan rezultat vendimtar.
Sondazhet sugjeruan një garë të ngushtë midis partisë GERB të ish-kryeministrit Boyko Borisov dhe partisë “Ka një popull të tillë”, të udhëhequr nga një drejtues emisionesh televizive, Slavi Trifonov.
Sa i përket fushatës elektorale, gjatë këtyre ditëve disa akuza të reja për keqpërdorim të fondeve qeveritare nga administratat e udhëhequra nga GERB, e kanë ulur mbështetjen për partinë në prag të zgjedhjeve.
Në sondazhet e opinionit, partia e Borisov ka dalë e dyta me 20 deri në 21 për qind të votave, ndër partia “Ka një popull të tillë” ka dalë në krye me mbi 21 për qind.
Në total, 23 parti dhe koalicione garojnë për 240 vendet e Parlamentit bullgar.
Sipas të dhënave të institucioneve zgjedhore në vend pritet që afërsisht 3 milionë qytetarë ose rreth gjysma e popullsisë me të drejtë vote, të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Bullgaria është vendi më i varfër i Bashkimit Evropian dhe perceptohet si një nga më të korruptuarit.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International” për vitin 2020, Bullgaria ka dalë e 69-ta, bashkë me Rumaninë dhe Hungarinë - si tre vendet me rezultatet më të dobëta në BE.
