Euro 2020, tifozët e Italisë në ekstazë pasi mundën Anglinë në finale, festë me fishekzjarre

Festë dhe gëzim në të gjithë Italinë. Mbrëmja e të dielës së 11 korrikut 2021 do të mbetet gjatë në memorien e italianëve pasi ekipi i tyre i futbollit mposhti Anglinë 3-2 në penallti në finalen e Euro 2020 në Londër.

Në një zonë tifozësh në Romë, mijëra tifozë filluan të kërcejnë, duke bërtitur dhe përqafuar njëri-tjetrin.

Fitorja në stadiumin Wembley i solli Italisë titullin e parë evropian që nga viti 1968.

Ndërkohë Anglia mbetet pa një trofe të madh që nga viti 1966, kur mundi Gjermaninë Perëndimore në finalen e Kupës së Botës 4-2.

Tifozët italianë filluan festën në rrugë në të gjithë vendin menjëherë pas gjuajtjes së penalltive.

"Jam shumë i lumtur! Ne jemi kampionë të Europës, do të festoj gjithë natën!"

"Është e pabesueshme, nuk mund të ndihemi më mirë se kaq, është e mahnitshme, ne fituam finalen!" tha një tjetër tifoz në kryeqytetin italian.

Zona e tifozëve në Piazza del Popolo të Romës u bëri jehonë emocioneve të natës.

Nga heshtja me golin e hershëm të Anglisë deri në gëzimin e barazimit italian dhe më pas te festimet e egra pas një gjuajtje penalltish që disa mezi e shikonin nga nervat.

Pas kësaj shpërthyen fishekzjarret dhe flamujt italianë mbushën qiellin.

Pas ferrit të pandemisë, parajsa e futbollit i ka rikthyer buzëqeshjen këtij kombi.

Ylli i asaj që ata po e quajnë një mrekulli italiane është Roberto Mancini, duke shndërruar një ekip kombëtar nga turpi i dështimit të kualifikimit për Kupën e fundit Botërore në një skuadër të pamposhtur tani në 34 ndeshje.

Ai ka sjellë të rinj dhe besim te skuadra italiane dhe i bëri italianët të dashurohen përsëri me "Azzurrin". 

Dhe kështu Italia ka fituar titullin e saj të parë në futbollin evropian që nga viti 1968.

Kampionë të Evropës, por ky vend ndihet në majë të botës.