Vendimi përfundimtar:Lojërat Olimpike do të zhvillohen pa tifozë për shkak të Covid-19

Lojërat Olimpike të Tokios do të mbahen pa spektatorë, ky është vendimi i organizatorëve të eventit më të madh sportiv në botë.

Vendimi vjen si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme të Covid-19 dhe rritjes së infeksioneve me variantin "Delta".

Masa e shumë pritur erdhi pas bisedimeve midis qeverisë, organizatorëve të Lojërave të Tokios, përfaqësuesve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Komitetit Paraolimpik Ndërkombëtar, shkruan "The Guardian".

"Është trishtuese që Lojërat do të mbahen në një format të kufizuar", deklaroi në një njoftim për shtyp presidentja e "Tokyo 2020", Seiko Hashimoto, duke kërkuar faljen e tifozëve që kanë blerë tashmë biletat.

Kryeministri Yoshihide Suga tha se ky hap ishte i nevojshëm për të mbrojtur Tokion, ku mutacioni "Delta" u përhap në përmasa të mëdha.

Më parë gjatë ditës, ai njoftoi gjendjen e jashtëzakonshme në Tokio, për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19, dy javë para fillimit të Olimpiadës. Lojërat Olimpike janë planifikuar të zhvillohen nga data 23 korrik deri më 8 gusht.

Ekspertët e shëndetit në Japoni e kanë mirëpritur vendimin për të mbajtur Olimpiadën e Tokios pa spektatorë, duke paralajmëruar se ndalimi nuk do të eliminojë plotësisht rrezikun rritjes së  rasteve me koronavirus.