Aferat, ish-zyrtari arresohet "live", akuzohet se kërkoi rryshfet për vaksinat

Kongresi brazilian ka kaluar momente dramatike që kulmuan me arrestimin e një ish-zyrtari të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë teksa po dëshmonte për menaxhimin e pandemisë.

Prej dy muajsh Kongresi ka ngritur një komision hetimor për të hetuar përgjegjësitë e qeverisë së presidentit Zhair Bolsonaro për vdekjen e mbi 500 mijë qytetarëve nga koronavirusi.

Në bankën e të pyeturve u ul të mërkurën ish-drejtori i logjistikës, Roberto Dias.

Ai u shkarkua nga Ministria një javë më parë pas aludimeve se kishte kërkuar ryshfet për blerjen e 400 milionë vaksinave "AstraZeneca".

"Po masakrohem nga të gjitha mediet për më shumë se 10 ditë, dhe pa asnjë fakt të vërtetueshëm," tha Dias.

Ndërsa Dias i mohoi akuzat, përfaqësuesi i kompanisë që dyshohet se iu kërkua ryshfeti dha dëshmi të kundërt javën e kaluar.

Kreu i komisionit hetimor në Senatin e Brazilit urdhëroi policinë e Kongresit ta arrestojë ish-zyrtarin kur ai po u shmangej përgjigjeve direkte.

"Ka gjithë mëngjesin që gënjen dhe i dhashë disa mundësi të thotë të vërtetën. Ky komision nuk mund të kthehet në farsë. Kemi mbi 527 mijë të vdekur nga pandemia ndërsa këtu po luhet me vaksinat. Personi do të shkojë në burg për gënjeshtrat, për dëshmi të rreme dhe ka për t'u arrestuar në emër të Brazilit sepse për të jemi këtu, për ata që vdiqën, jo për lojëra."

Ish-zyrtar i Ministrisë është akuzuar edhe se detyroi vartësit e tij të firmosnin një kontratë për blerjen e vaksinave indiane "Covaxin".

Skandali po rrezikon edhe presidentin Bolsonaro me pretendimin se ai ishte në dijeni të aferave korruptive në Ministrinë e Shëndetësisë.

Aferat, ish-zyrtari arresohet "live", akuzohet se kërkoi rryshfet
Roberto Dias