Mbyten 43 emigrantë në brigjet e Tunizisë, shpëtohen 84 të tjerë
Të paktën 43 emigrantë janë mbytur në brigjet e Tunizisë ndërsa përpiqeshin të kalonin Mesdheun nga Libia në Itali. 84 të tjerë u shpëtuan, tha sot Gjysmëhëna e Kuqe Tuniziane.
Anija ishte nisur nga Zuwara, në brigjet veriperëndimore të Libisë, duke transportuar migrantë nga Egjipti, Sudani, Eritrea dhe Bangladeshi, tha organizata humanitare.
Në muajt e fundit, disa incidente me mbytje kanë ndodhur në brigjet e Tunizisë, me një rritje të frekuencës së tentimeve të kalimeve në Evropë nga Tunizia dhe Libia drejt Italisë.
"Flota detare shpëtoi 84 migrantë dhe 43 të tjerë u mbytën në një anije që u nis nga Zuwara e Libisë drejt Evropës," tha zyrtari i Gjysmëhënës së Kuqe Mongi Slim.
Qindra mijëra njerëz kanë bërë kalimin e rrezikshëm të Mesdheut në vitet e fundit, shumë prej tyre ikin nga konflikti dhe varfëria në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, shkruan Reuters.
