Stoltenberg në Kosovë: NATO është këtu për të qëndruar gjatë

Për të thënë se NATO është prezente në Kosovë edhe për një kohë të gjatë, në Prishtinë mbërriti vetë shefi i aleancës veri-atlantike, Jens Stoltenberg.

"Mesazhi im është se NATO është ëktu për të qëndruar. Misioni ynë është i bazuar në kushte dhe KFOR-i është në Kosovë për të ndihmuar, për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për ët gjitha komunitetet. Gjithashtu mbështesim të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike, ne ndjejmë përgjegjësi për të kontribuar për paqe dhe stabilitet në Kosovë që gjithashtu është i rëndësishëm për të gjithë rajonin," tha Stoltenberg.

Një problem që has Kosova është vendosja e forcave të sigurisë në Veri të vendit, dhe sipas shefit të NATO-s, kjo duhet të bëhet në marrëveshje me KFOR-in dhe NATO-n.

"Unë pres që autoritetet e Kosovës t'i përmbahen marrëveshjes që bëmë në 2013 që forcat e sigurisë së Kosovës të mos vendosen në veri pa një marrëveshje paraprake me KFOR-in dhe NATO-n. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të gjetur ekuilibrin e duhur dhe shmangur situatat që mund të minojnë dhe dobësojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur gjithçka që mund të minojë dialogun Prishtinë-Beograd," tha Stoltenberg.

Jens Stoltenberg pati takime me krerët politik të vendit këtë të enjte, ndërsa nuk përjashtoi anëtarësimin e Kosovës në NATO, por tha se duhet konsensus i të gjithë anëtarëve.

Qeveria e Kosovës vendosi të blejë dy dronë në vlerë 4 milionë euro, ndërsa sekretari Stoltenberg shprehu gatishmërinë e Aleancës veri-atlantike për vazhdimin e bashkëpunimit me Forcat e Sigurisë së Kosovës.