Putini kundër vaksinimit me detyrim
Shumica e qytetarëve rusë nuk u besojnë vaksinave antikovid edhe pse ato ofrohen falas dhe prodhohen në vend. Presidenti Putin thotë se vaksinimi mbetet në ndërgjegjen e gjithsecilit, ndërkohë që pranon situatën e rëndë me kovidin prej variantit me origjinë indiane.
Rusia po kalon valën e tretë të pandemisë, me një rekord prej 660 vdekjesh brenda ditës, por presidenti Vladimir Putin mendon se vaksinimi ndaj kovidit sërish nuk duhet bërë me detyrim.
Në vend po qarkullon varianti "Delta" i koronavirusit që u përhap nga India dhe që të mërkurën infektoi mbi 21 mijë rusë të tjerë.
Presidenti 68-vjeçar tha se të vaksinuarit mund ta kishte përmirësuar situatën, por sondazhet tregojnë se ka dyshime të mëdha për vaksinat e prodhimit vendës, siç është "Sputnik V".
Kreu i shtetit shtoi se ai ka përdorur Sputnikun dhe i konsideron vaksinat ruse më të mira sesa të huajat, si "AstraZeneca" apo "Pfizer".
"Është e nevojshme që të mos dëgjohen njerëzit që marrin pak vesh nga vaksinat e përhapin thashetheme, por specialistët."
Rusia ka vaksinuar rreth 15 për qind të popullatës me të paktën një dozë antivirusi dhe ka hequr dorë nga objektivi i 60-përqindëshit brenda vjeshtës.
Ministria e Shëndetësisë atje njofton se 150 mijë qytetarë po marrin trajtim spitalor prej sëmundjes, kryesisht në epiqendrën e infeksioneve që mbetet Moska dhe në qytetin e dytë më të prekur, në Shën-Pjetërburg.
Deri më sot, 133 mijë veta në Rusi nuk i kanë mbijetuar dot koronavirusit.

