Covid-19, Koreja e Veriut shkarkon zyrtarët
Udhëheqësi koreanoverior, Kim Xhong-un, ka qortuar vartësit e tij për paaftësi dhe papërgjegjshmëri në menaxhimin e pandemisë. Vendi vazhdon të mos i raportojnë Organizatës Botërore të Shëndetësisë asnjë rast me Covid-19.
Koreja e Veriut mbylli kufijtë me jashtë janarin e kaluar si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit, dhe ende nuk ka konfirmuar asnjë rast të sëmundjes, as se sa testime ka kryer në terren.
Ndërsa transparenca mbetet e ulët, Pheniani njoftoi të enjten shkarkimin e një numri zyrtarësh të lartë, për një incident të konsideruar serioz që mund të rrezikonte sigurinë e shtetit.
Ngjarja iu bë e ditur Komitetit Qendror të Partisë nga vetë udhëheqësi i vendit, Kim Xhong-un.
"Ai foli për zyrtarë të ngarkuar me çështje të rëndësishme të shtetit, të cilët neglizhuan në zbatimin e vendimeve të Partisë mbi masat organizative, institucionale, materiale, shkencore dhe teknologjike që kërkohen për të parandaluar emergjencën e zgjatur epidemike prej krizës shëndetësore botërore, duke cenuar rëndë sigurinë e shtetit dhe të popullit," informoi agjencia shtetërore e lajmeve në Phenian.
Mes zyrtarëve të shkarkuar u përmendën edhe anëtarë të presidiumit të Byrosë Politike, organit më të lartë vendimmarrës të Partisë së Punës.
Ekspertët ndërkombëtarë e kanë vënë në dyshim faktin që Koreja e Veriut ka mundur t'i shmanget pa asnjë pasojë pandemisë globale.
Megjithatë izolimi me botën prej virusit dhe me Kinën në perëndim e ka prekur ekonomikisht.
Vendi aziatik ka pranuar se ndodhet në krizë ushqimore dhe ka treguar gatishmërinë të ulët në tryeza edhe me Amerikën, për t'u çliruar nga sanksionet e shumta pse vazhdon të synojë zhvillimin e arsenalit dhe raketave bërthamore.

