“Mjekët” e rinj pa kontratë, Gjata: Procedurë e zakonshme, s'mund të punojnë njëkohësisht në dy vende
Ministria e Shëndetësisë nuk tërhiqet nga urdhri për ndërprerjen e kontratës me mjekët specializantë. Rektori Arben Gjata shprehet se kjo është një procedurë e përvitshme. Ndërkaq përfaqësues të shoqërisë civile ngrenë shqetësimin se me këto sjellje të rinjtë po detyrohen të largohen nga vendi.
Ndërprerja e kontratës për rreth 1000 specializantë mund të sjellë edhe pasiguri te mjekët e rinj për të qëndruar në Shqipëri.
Stiven Shala, përfaqësues i shoqërisë civile, thotë se kjo ka filluar të reflektohet që këtë vit në numrin e ulët të të interesuarve për të aplikuar në kuotat e specializantëve.
"Vetëm 50% e këtyre kuotave janë marrë nga specializantët dhe automatikisht kjo do të çojë nesër në një mungesë të theksuar të personelit shëndetësor të cilin ne sot po e kemi dhe nuk dimë ta vlerësojmë."
Megjithëse pranon se kuotat nuk janë plotësuar të gjitha, rektori i Universitetit të Mjeksisë, Arben Gjata, thotë se kjo ka ndodhur pasi të rinjtë nuk kanë plotësuar kriteret.
"Mund të kenë qenë 200 e ca vende, kanë mbetur kuota të djegura, kanë aplikuar më shumë sepse këto janë ata që kanë fituar. Por ne kemi një dysheme, një numër të caktuar pikësh që duhet ta marrësh në konkurs, konkursi është i informatizuar. Po nuk arrite dyshemenë e pikëve nuk futesh në specializim. Preferojmë më mirë të djegim kuotat e specializimit sesa të marrim mjekë që nuk kanë atë formim të duhur për të hyrë në specializim."
Në lidhje me ndërprerjen e kontratës së punës për mjekët e rinj, rektori Gjata sqaron se kjo është një procedurë e përvitshme dhe se sipas tij një person nuk mund të jetë i punësuar njëkohësisht në dy vende.
"Si mund të punosh mjek familje në Dibër dhe të bësh specializimin 8 orë në ditë në Tiranë? Pas 8 orarëshit që punojnë këtu dhe pasi shlyejnë detyrimet që kanë, minimumi dy roje në muaj, që janë detyrime kontraktuale që ata i nënshkruajnë, natyrisht që nëse duan të financojnë veten e vet mund të bëjnë punë të ndryshme".
Krahasur me vendet e rajonit, Shqipëria është në vendin e fundit për numrin e mjekëve për 1000 banorë.
Në vendin tonë sipas OBSH-së janë 1.2 mjekë për 1000 banorë, ndërsa vendin e parë e zë Greqia me 4.6 mjekë për 1000 banorë.

