Indi, dronët shpërndajnë vaksina anticovid

Në Indi janë kryer testet e para të dërgesave me ilaçe si dhe vaksina Covid-19 nëpërmjet dronëve me rreze më të gjatë, në zonat e largëta. Nisma do të mundësojë shërbime mjekësore në zonat rurale të thella për vendin e Azisë Jugore ku kujdesi shëndetësor është i kufizuar dhe rrugët të dëmtuara, thonë ekspertët.

Qeveria iu ka dhënë leje 20 organizatave që nga maji për të kryer fluturime eksperimentale përtej kufirit aktual prej 450 metrash. Dy dronë - një që mund të mbajë deri në një kilogram për 20 kilometra ose gati një orë, dhe një tjetër që mund të ngrejë dy kg për 15 kilometra - u testuan të hënën, 21 qershor, në shtetin jugor të Karnataka.

"Ngarkesa ishin ilaçet dhe 2.5 kilometra u mbuluan për shtatë minuta. Droni shpërndau ilaçet në pikën e caktuar dhe u kthye," tha bashkëthemeluesi i një prej kompanive, Sebastian Anto.

Shefi i epidemiologjisë së Këshillit Indian të Kërkimeve Mjekësore, Samiran Panda, tha se teknologjia mund të ndihmojë në vaksinimin e grupeve prioritare në vende të vështira për t'u arritur.

"Ne kemi nevojë për vaksinim inteligjent në vend të vaksinimit masiv për të ndaluar një epidemi".

India me një popullsi 1.3 miliardë, të shpërndarë në rreth 3.2 milion kilometra katrorë, është vendi i shtatë më i madh në botë. Qeveria synon projekt pilot në teknologjinë e dronëve e cila do të kishte një ndikim të madh në zona tw thella, të furnizohen me ilaçe emergjente dhe vaksina. Operatorët kanë paraqitur ofertat, por qeveria ende nuk ka njoftuar se kur do të bëhen funksionale projekte të tilla.