Shkarkohet Ministri që mohoi "Srebrenicën", Mali i Zi para krizës politike
Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç, po rrezikon postin pasi një ditë më parë hodhi në votë parlamentare dhe shkarkoi një nga ministrat, pse mohoi gjenocidin në Srebrenicë. Partitë proserbe që përbëjnë aleancën kryesore në pushtet paralajmërojnë krizë politike.
Parlamenti i Malit të Zi ka shkarkuar një nga ministrat e vendit dhe po kërkohet që bashkë me të të ikë edhe kryeministri Zdravko Krivokapiç.
Ministri i Drejtësisë, Vladimir Leposaviç, u largua me 43 vota pro dhe 27 kundër, disa muaj pasi vuri në dyshim faktin për gjenocidin serb në Srebrenicë të vitit 1995.
Kryeministri Krivokapiç i kishte kërkuar më kot ministrit proserb ta korrigjonte deklaratën.
Për të shmangur përsëritjen e incidenteve të tilla, ligjvënësit malazezë miratuan të enjten edhe një rezolutë për të dënuar gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë dhe mohimin e tij publik.
Rezoluta kaloi me ndihmën e partisë opozitare socialdemokrate të presidentit Milo Gjukanoviq ndërkohë që aleanca proserbe, "Fronti Demokratik", e cila mban në pushtet qeverinë, bojkotoi dhe paralajmëroi një krizë politike.
Një nga liderët e Frontit i tha parlamentit se nuk e njeh më Krivokapiqin për kryeministër.
"Kërkojmë të sqarohet marrëveshja me socialdemokratët dhe të kthehemi te parimet origjinale elektorale, ndryshe zgjidhja janë zgjedhjet e reja të organizuara nga një qeveri tranzitore," deklaroi Milan Knezeviç, shefi i Partisë Demokratike Popullore në pushtet.
Knezeviç gjithashtu shtoi se votoi kundër rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë, pasi sipas tij është e turpshme të deklarosh që Serbia dhe serbët janë popull gjenocidal.

