PDK dërgon në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin e kryetares së KQZ

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e kryetares së KQZ.

Përmes facebook kreu i PDK, Enver Hoxhaj bën të ditur se ka mbledhur firmat e 30 deputetëve për të ankimuar vendimin e shkarkimit të Valdete Dakës dhe emërimit në vend të saj Kreshnik Radoviqit.

“Për të mbrojtur rendin kushtetues, institucionet demokratike e profesionale, si dhe të parandalojmë secilin akt të tillë në të ardhmen, Partia Demokratike e sheh të domosdoshëm dhe të pashmangshëm opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çka i kemi mbledhur edhe nënshkrimet,” tha Hoxhaj.

Madje ai shprehet se ndryshimi në kryesimin e komisionit të zgjedhjeve është bërë me urdhër të kryeministrit Albin Kurti.

Kujtojmë që ishte Daka e cila firmosi të mos lejonte kandidimin e Kurtit në zgjedhjet parlamentare.

Tre ditë më parë Presidentja E Kosovës u shpreh se kryesuesja e KQZ nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj drejtohej nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së.