Kurti sërish në kontradiktë me Amerikën: Nuk pranoj asociacion njëetnik

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet një çështje e debatueshme mes Prishtinës dhe Beogradit. Ambasadori amerikan në Kosovë, sikundër Serbia, thotë se ai duhet formuar shpejt, ndërsa kryeministri Kurti kujton se marrëveshja aktuale është jokushtetuese dhe i diskriminon pakicat.

Njësoj si vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e gjen veten në kontradiktë me aleatët strategjikë dhe sërish prej opinioneve që ai ndan kundrejt Serbisë.

Këtë herë, debati lidhet me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe të cilin Amerika insiston se duhet vënë në funksion për të normalizuar raportet me Beogradin.

Marrëveshja është firmosur nga të dyja palët prej 8 vitesh, por në takimin e fundit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, Kurti propozoi që pakti të ndryshojë pasi siç është, i ngjan skenarit të Bosnjë-Hercegovinës.

"Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015."

Çështjen e Asociacionit të komunave serbe u ktheu për debat nga deklarata e fundit e ambasadorit amerikan në Kosovë, Filip Kosnet.

Diplomati i SHBA-së u tregua kritik me qeverinë kosovare, duke thënë në një intervistë se "historia nuk fillon në ditën kur është formuar Qeveria e Albin Kurtit. Ne besojmë se vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë".

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur shkelje të shumta në marrëveshjen aktuale për Asociacionin dhe parimet e saj i konsideron në mospërputhje me ligjin themelor të vendit.

Kurti thotë se qeveria e tij kërkon të mbrojë të drejtat e të gjitha pakicave, dhe se janë palë si Serbia që kërkojnë t'i margjinalizojnë ata.

"Kërkesa për asociacion etnik e cila ka tash e gati një dekadë që mbahet aktuale nuk më duket që vie nga njerëzit e thjeshtë. Por nga politikanët e fqinjët tonë veriorë."