"Më pyeti kur do ta njoh Kosovën, i thashë kurrë", Kurti e Vuçiç ‘përplasen’ në Bruksel

Përfundon takimi i kryeministri Kurti me Presidentin Vuçiç në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Presidenti Vuçiç është shprehur: "Kemi rënë dakord të vazhdojmë dialogun në nivelin më të lartë deri në fund të korrikut. Shqiptarët nuk duan të flasin për Asociacionin e komunave serbe, ata po pyesin kur do ta njohim pavarësinë e Kosovës. Delegacioni i Prishtinës nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet e nënshkruara. Vijimi i dialogut deri në korrik është një gjë e rëndësishme, e cila mund të garantojë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Gjithçka tjetër do të ishte e panevojshme për t'u komentuar."

Vuçiç gjithashtu u shpreh se gjatë takimit kryeministri Kurti e ka pyetur se kur do ta njohë Kosovë.

"Albin Kurti ka ardhur në Bruksel për të thënë se nuk do të arrijë marrëveshje për asgjë.

Ai më pyeti kur do ta njoh Kosovën, i kam thënë kurrë dhe ai shpërtheu," tha Vuçiç.

 

Dialogu u ndërmjetësua nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell i cili më herët u shpreh se:"E di se dialogu nuk do të jetë i lehtë, por ky proces me angazhimin e të dyja palëve është i nevojshëm për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Të jetë e qartë se dialogu bëhet për të ardhmen europiane të dy vendeve. "