Covid-19/Dyshime mbi Institutin e Wuhanit, publikohen pamje të lakuriqëve në laboratorin kinez
Është ende një mistër origjina e koronavirusit që ka vrarë mbi 3 milionë e 800 mijë veta në gjithë botën. OBSH-ja nuk e ka përjashtuar teorinë se mund të jetë një aksident laboratorik. Pamje të reja tregojnë se shkencëtarët kinezë po i studionin prej vitesh lakuriqët e natës, gjitarët që dyshohet se e përhapën sëmundjen.
Teksa shtohen thirrjet për hetimin e origjinës së kovidit-19, vazhdon edhe teoria se koronavirusi i ri ka dalë aksidentalisht nga laboratorët kinezë.
Televizioni "Sky NeWs" për Australinë publikoi të martën pamje ekskluzive brenda Institutit të Virologjisë të Uhanit, qytetit ku në fundin e 2019-ës u zbuluan rastet e para të infektimit.
Në pamje duken shkencëtarët duke studiuar e duke ushqyer me krimba lakuriqët e natës brenda ambienteve të laboratorit në maj 2017.
Teza se sëmundja u përhap nga lakuriqësit është hedhur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por pas hetimeve në terren ekipet e ekspertëve e përjashtuan skenarin që kjo të kishte ndodhur brenda laboratorit kinez.
Makina ikonike e Lady Dianës del në ankand
15 Qershor, 15:20
Në kronikën e televizionit australian pretendohet se Instituti i Uhanit menaxhonte një databazë me 15 deri 17 mijë mostra lakuriqësh nate, por ajo databazë u zhduk papritur nga faqet e internetit në shtator të 2019-ës, pak muaj përpara shpërthimit të epidemisë së përgjithshme.
Një nga ekspertët e ekipit të caktuar nga OBSH-ja tha këtë muaj se kur kishin vizituar Institutin e Uhanit, nuk e kishin pyetur a mbanin lakuriqës për studim sepse kjo do të ishte gjë normale për laboratorë të kalibrit si ai kinez.
Në samitin që u mbajt fundjavën e shkuar, liderët e 7 vendeve më të zhvilluara në botë kërkuan një hetim transparent, të udhëhequr nga ekspertë dhe të bazuar në shkencë, dhe të vlerësojnë edhe një herë konkluzionet paraprake të OBSH-së në lidhje me origjinën e kovidit-19.

