SPAK-RTV ORA nis përballja në Gjykatë, Muçi: Pasuria u sekuestrua pa bërë asnjë lloj hetimi

Pas kërkesës së SPAK për sekuestrimin e RTV ORA nisi përballja në Gjykatë.

Avokati i Presidentit të "Yldon Media Group” Besnik Muçi kërkesën e prokurorisë e quan kontradiktore.

Pas 10 muajsh hetimesh, nuk ka ende një analizë të mirëfilltë financiare dhe detyrimi minimal i  Prokurorisë në rast të konfiskimit të pasurisë është të paraqesë një analizë financiare.

Avokati: "Edhe ato pak elementë që ka tentuar prokuroria me të cilët argumentoi kërkesën e vet, se ne shpresojmë që Gjykata do ta konsiderojë shumë seriozisht. Edhe në ato pak konstatime që bën prokuroria këtu është totalisht kontradiktore.

Më lejoni të shpreh vetëm një fakt. Prokuroria vetë, në aktin e vet thotë që zoti Ndroqi ka rreth  8 milion euro të ardhura dhe ka 11 milionë euro shpenzime dhe nxjerrin diferencën diku te 3 milionë euro të pajusifikuara. Prokuroria në të drejtën e saj kërkon konfiskimin e të gjitha pasurive të zotit Ndroqi, pra kërkon sekuestrimin e 3 milionë eurove që janë të pajustifikuara dhe do çuditërisht dhe 8 milionë euro të tjera që ka zoti Ndroqi. Këtej shprehet që zoti Ndroqi ka 8 milionë euro të ardhura të ligjshme, këtej konfiskon pasuritë. Nuk e kuptoj, si mund të jetë një qëndrim i tillë?

Ne i kemi paraqitur gjatë hetimit, pavarësisht se kjo pasuri u sekuestrua pa bërë asnjë lloj hetimi, asnjë lloj hetimi. Pas 10 muajsh dhe s'ka asnjë analizë akoma. Ky është detyrimi minimal që duhet të bëjë prokuroria,  të bëjë analizë të mirëfilltë financiare se do konfiskojë pasurinë e qytetarit. Do konfiskojë pasurinë pa bërë asnjë analizë financiare."